Inter bën një hap të fortë pas, ngec në transfertë përballë Sampdoria-s duke mbyllur praktikisht llogaritë me titullin kampion në Serie A. Barazimi pa gola ka bërë që diferenca me Napolin kryesues tashmë të shkojë në 15 pikë. Ky është rekord absolut, pasi asnjë ekip më parë në Serie A nuk ka pasur 15 pikë avantazh pas 22 javësh.

Inter jo vetëm që nuk arrin të ruaj hapin e Napolit, por tashmë sheh t’i afrohen tre ekipe, Atalanta, Roma dhe Milan, tre ekipe e ndjekin këmba këmbës me vetëm 3 pikë diferencë.

Në “Marassi”, rezultoi një transfertë e ndërlikuar për Inter ku pavarësisht se kishin kontrollin e topit hasën vështirësi në metrat e fundit, nuk ishin të qartë. Djemtë e Stankovic mbrojtën me fanatizëm pikën, ishin dhe me fat si në rastin e Acerbit që goditi traversën. Në fund, nga ky frenim i Inter, feston Napoli dhe jo vetëm:

“Ka zhgënjim pasi nuk fituam. Prodhuam shumë, luajtëm me rregull, por rezultati duhet të ishte ndryshe. Rezultati nuk na kënaq, duhet të ishim më të zotë në finalizim”, u shpreh Simone Inzaghi pas ndeshjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb