TIRANE- Në ditën Kombëtare të Rinisë, gjimnazistë të Forumit të Rinisë Eurosocialiste të Shqipërisë kanë protestuar para Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar lirimin e hapësirave publike. Të rinjtë kanë kërkuar nga kryebashkiaku mbajtjen e premtimeve për më shumë hapësira të gjelbra për qytetarët.

“Protestojmë paqësisht, por me indinjatë të thellë, duke kërkuar të na kthehen hapësirat publike të cilat janë pushtuar si dhe krijimin e hapësirave të reja në shërbim të komunitetit e në veçanti të të rinjve. Tre vjet më parë, asokohe kandidat për Kryetar të Bashkisë Tiranë, zoti Lulzim Basha na premtoi më shumë hapësira publike, hapësira të gjelbra dhe argëtuese për qytetarët e Tiranës. Ndaj sot, ne jemi këtu në kërkim të hapësirave që na u premtuan dhe që qytetarët e kryesisht ne të rinjtë meritojmë”, kanë thënë të rinjtë e FRESSH.

Ata deklaruan se hapësirat publike janë minimizuar, ndërsa të rinjve u ofrohen vetëm tavolinat e bizneseve që kanë pushtuar trotuaret.
“Na u premtua shumë, por rezultatet e një vëzhgimi që mund ta bejë secili prej nesh, tregon se hapësirat jo vetëm që nuk janë shtuar, por përkundrazi, janë minimizuar. Akuzohemi shpesh se jemi duke iu larguar gjithmonë e më shumë aktiviteteve sportive. Por, çfarë na ofrohet ne sot më shumë se sa tavolinat e bizneseve që zaptojnë trotuaret anë e mbanë qytetit? Ku janë premtimet, 10 kinematë, 11 bibliotekat dhe terrenet sportive që duhet të ishin gati brenda vitit të parë të mandatit? Kërkojmë përgjigje nga ju zoti kryetar!”, ka deklaruar FRESSH.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb