TIRANË- Anëtarja e Asamblesë Kombëtare të PS, Elisa Spiropali, njëherësh edhe anëtare e jurisë së FRESSH Voice u shpreh sot me anë të një deklarate për shtyp se në vetëm 1 muaj të FRESSH Voice, garës kombëtare për liderët e rinj që do të hyjnë aktivisht në jetën e rinisë eurosocialiste, e cila nisi më 20 Mars, ka një numër shumë të papritur aplikimesh; 4215 profesionistë, studentë, gjimnazistë në garë për t’i dhënë zë vetes së tyre, komunitetit të tyre, vendit.

“Numër shumë i papritur sepse parashikimet tona më optimiste preknin tavanin e lartë të 3000 aplikantëve, ndërsa objektivi bazë ishte 2000 aplikantë. Është e qartë se vala më shumë se gjashtëmujore e anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste, ka pasur ndikimin e saj. Por sigurisht që kryesoret janë arsyet që e ngritën atë valë; fryma reformiste e PS në qeverisje, përpjekja e dukshme për të bërë shtet përmes reformave, lidershipi i Edi Ramës që ka forcën e vet të veçantë tërheqëse. Ne besojmë se ka pasur ndikimin e vet pozitiv edhe formula origjinale e kësaj gare të madhe rinore, e cila thyen të gjitha skemat e derisotme të përfshirjes së njerëzve dhe të promovimit të talentit të tyre politik”, theksoi Spiropali. “4200 të rinj e të reja, nga çdo cep i Shqipërisë, nga Bajram Curri në Sarandë, Vlora, Elbasani, Fieri, Shkodra, Kukësi, Berati, Korça, e me radhë çdo qytet në Shqipëri, deri tek kampionia e aplikimeve, Tirana me 41%, do të hyjnë në një garë të paparë për t’u dalluar, përzgjedhur, fituar. Por jo vetëm këta. Aplikimet e paparashikuara të bashkëmoshatarëve të tyre emigrantë apo studentë nga Kosova, Maqedonia, Greqia, Italia, Gjermania, Franca, i kanë dhënë garës një ngjyrim rinor marramendës mbarëkombëtar”, tha Spiropali.

Sipas saj, “55 përqind e aplikantëve janë djem dhe 45 përqind vajza. 56 përqind janë profesionistë të rinj me arsim të lart ose pasuniversitar, dhe studente, si dhe 40 përqind gjimnazistë e gjimnaziste, të mirëseardhur në rrugën e aktivizimit qytetar përmes Forumit Rinor Eurosocialist”. “Një shifër që na u duk shumë domethënëse për ta nënvizuar, është se 70 përqind e aplikantëve janë të papërfshirë më parë në aktivitete politike apo organizata politike. Vijnë me shembullin e bukur të besimit se ata kanë diçka të veçantë për të dhënë përmes angazhimit politik dhe se rruga e socialistëve shqiptarë është një mundësi reale. Tani na përket ne, organizatorëve, që t’u provojmë këtyre miqve të rinj se kanë hedhur hapin e duhur! Natyrisht s’mund të dalin të gjithë fitues, por të gjithë mund të jenë të fituar nga kjo eksperience e re! Dhe ne do të bëjmë çmos që kështu të ndodhë”, u shpreh Spiropali.

Në këtë proces, vijoi ajo, “do të përzgjidhen konkurrentët për të drejtuar Fresshin në nivel kombëtar e vendor. 50 konkurrentë të spikatur do marrin pjesë në Akademinë Politike, si dhe 400 të tjerë do marrin pjesë në Akademinë Verore. Të tjerët akoma do të përfshihen në aktivitete të organizuara në nivel vendor. Të gjithë së bashku do të bëjmë një rrugëtim të veçantë; do të punojmë së bashku, do të argëtohemi së bashku dhe, mbi të gjitha, do të fitojmë së bashku me Partinë Socialiste zgjedhjet e ardhshme për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër”.

“Aplikimet online u mbyllën sot. Më tej, juria e përbërë nga Pandeli Majko, Arlinda Dudaj, Gaz Paja dhe unë, do të udhëtojë në të gjitha qarqet për audicionet e hapura, ku i ftojmë të gjithë konkurrentët të thërrasin në mbështetje miqtë e tyre. Do të dëgjojmë çdo aplikant, një për një, në një garë jashtë tarafeve, klaneve, grupeve, ndikimeve apo avazeve të vjetra që i mbajnë larg të rinjtë nga politika! Do të jemi sa më objektivë dhe shumë të vëmendshëm, për të zbuluar ata që kanë talentin, energjinë, pasionin dhe vendosmërinë për t’u dalluar. Por nuk do të lëmë pas dore asnjë konkurrent të vetëm, sepse ne e dimë që jo çdokush mund të jetë një lider, po shumëkush mund të jetë një lojtar i vyer skuadre. Ne duam që në fund të kemi fituesit të kthyer në drejtues, po edhe skuadrën e madhe të konkurrentëve të kthyer në aktivistë”, tha Spiropali.

Spiropali e cilësoi FRESH Voice si, “një garë e bukur dhe e vërtetë për të hapur rrugë të reja komunikimi mes politikës dhe shoqërisë, në përpjekjen e vazhdueshme inovatore dhe emancipuese të Partisë Socialiste, po fillon. Përfitoj nga rasti që t’i ftoj të gjithë ata që nuk kanë aplikuar, që të vijnë e ta ndjekin garën. Nuk do të fitojnë dot, por do të jenë edhe ata të fituar”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: