Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një sërë masash për frenimin e përhapjes së COVID-19. Mësohet se tashmë është vendosur kufizimi i udhëtimit për shtetasit e huaj, që kanë qenë në Brazil në 14 ditët e fundit. Brazili ka numrin e dytë më të lartë në botë të infektuarve me koronavirusin e ri, gjithsej 363,211. Deri më tani janë shënuar 22 mijë viktima nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi. Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë tha se kufizimet në udhëtim do të ndihmonin që personat e infektuar të mos hyjnë në SHBA.

“Vendimi do të ndihmojë që shtetasit e huaj që kanë qenë në Brazil të mos bëhen burim i infeksioneve shtesë në vendin tonë”, tha sekretarja i shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany. Kufizimi nuk do të ndikojë në tregtinë midis dy vendeve.

Ndalimi i udhëtimit nuk do të zbatohet për shtetasit e SHBA-së. “Potenciali për transmetimin e virusit nga persona të infektuar që kërkojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara nga Brazili kërcënon sigurinë e sistemit tonë të transportit dhe infrastrukturës si dhe sigurinë kombëtare”, thuhet në vendim. SHBA-ja aktualisht është vendi më i goditur në botë nga pandemia me mbi 1.6 milion raste të infektuarve dhe mbi 97 mijë viktima.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb