Dorëheqja në fillim të kësaj jave e diplomatit veteran rus Boris Bondarev, lidhur me pushtimin e Ukrainës, e ka vënë Kremlinin në një pozitë të sikletshme. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, analistët thonë se frika pengon shumicën e zyrtarëve rusë të shprehin mospajtimin me veprimet e Presidentit Putin.

Dyzet e një vjeçari Boris Bondarev ka një karrierë 20-vjeçare në shërbim të diplomacies ruse. Deri këtë javë ai punonte në Kombet e Bashkuara në Gjenevë.

Të hënën, ai bëri të ditur dorëheqjen përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se “kurrë nuk kam pasur aq turp për vendin tim sa më 24 shkurt të këtij viti” – data kur Rusia nisi sulmin e saj në Ukrainë.

“Sigurisht, që sulmi në Ukrainë më shqetëson, pasi është një moment kyç. Pas kësaj, ka vetëm një zgjedhje – të largohesh, të japësh dorëheqjen. Nuk e di për momentin se çfarë do të bëj më pas. Jam duke menduar për këtë, por them se nëse më duhet të kthehem në Rusi, perspektivat ndoshta nuk do të jenë shumë të këndshme”, thotë Boris Bondarev, ish diplomati rus në Kombet e Bashkuara.

Dorëheqja do të jetë e turpshme për Kremlinin, thotë Valery Solovei, një ish-profesor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Institutin Shtetëror të Moskës – ku ai u ka dhënë mësim disa diplomatëve rusë.

“Kremlini, ishte absolutisht i sigurt në besnikërinë e diplomatëve rusë. Mendoj se ai pasqyron atë që ndjejnë shumë nga kolegët e tij diplomatë, por kjo nuk do të thotë se ata janë të gatshëm të ndjekin shembullin e tij”, thotë për Zërin e Ameirkës Valery Solovei.

Zoti Solovei thotë se pas incidentit, Moska ka bërë një rishikim urgjent të stafit të saj diplomatik.

“Do të ketë më shumë kontroll jashtë vendit dhe ndoshta disa që janë në listë, si potencialisht jo besnikë, do të largohen nga ambasadat jashtë vendit apo në Moskë”.

Kremlini nuk do të jetë në panik, thotë analisti Alex Titov.

“Nuk pres që të ketë dorëheqje masive”.

Shumica e zyrtarëve mbeten besnikë ndaj presidentit Vladimir Putin, thotë analisti Titov.

“Diplomatët janë një kastë e veçantë në një farë kuptimi, janë të përzgjedhur. Qeveria e përdor besnikërinë e tyre në shumë mënyra. Ata gjithashtu kanë shumë përfitime. Janë profesionistë, që janë të përshtatur me idenë e armiqësisë me Perëndimin”.

Kremlini ka një metodë për të siguruar besnikërinë, thotë analisti Solovei.

“Frikë. Frikë dhe kontroll të rreptë” .

Ish diplomati Bondarev thotë se ai është i frikësuar për sigurinë e tij. Nën sundimin e Putinit, disa disidentë që jetojnë jashtë vendit janë vrarë ose vënë në shenjestër nga shteti rus, megjithëse Moska i mohon veprime të tilla./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb