MAT– Në një kohë kur ai u mori jetën 3 punonjësve të bashkisë së Matit dhe plagosi një tjetër, për familjarët e Kujtim Koxhës krimi i rëndë ka ‘mbjellë’ frikë. Gazetari Enver Doçi ka konfirmuar për “BalkanWeb” se 4 fëmijët e 51-vjeçarit bashkë me vëllezërit e tij, kanë lënë fshatin Shëlli të Matit nga frika e gjakmarrjes.

Po ashtu të njëjtat burime pohojnë se në banesën e ish-kryeplakut të fshatit ndodhet vetëm gruaja, e cila ruhet nga forca policore pas mbrojtjes që u vendos për këtë familje. Ndërkohë, mësohet se nga policia ruhet edhe vëllai tjetër i Kujtim Koxhës, i cili jeton në Mamurras. “BalkanWeb” mes të tjerash raporton se familjarët e autorit të krimit të 3-fishtë, i cili u la sot në burg nga gjykata e Matit, nuk kanë shkuar për sqarim në familjet e tre viktimave.

Ndërkohë, Doçi bën me dije se kryetari i Bashkisë së Matit, Nezir Rizvani ka pohuar se punimet në rrugë që u lanë përgjysmë pas masakrës në Shëlli, do të vijojnë në ditët në vijim.

NGJARJA
Ngjarja e rëndë që i mori jetën 3 personave dhe një tjetër u plagos ndodhi pasditen e 11 tetorit në fshatin Shëlli të Matit. Shkak i krimit të 3-fishtë u bë rruga e fshatit Shëlli, ku punonjësit e Bashkisë po kryenin punime. Nga breshëria e plumbave Mentor Hoxha ndërroi jetë në vend, ndërsa Erzen Aliaj dhe Hamit Buçi vdiqën në spital. Ndërkohë i plagosur mbeti kolegu i tyre, Astrit Hani, i cili mori dy plumba në kofshë, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Koxha, ish-kryeplak i këtij fshati, njihej si person problematik në zonën e tij. Raportohet se para disa ditësh Koxha kishte qenë në spital, pasi ishte plagosur me thikë nga vëllai i tij pas një konflikti. 51-vjeçari kishte qëndruar i shtruar për disa ditë në spitalin e Burrelit.

Gjatë momentit të shoqërimit në Komisariatin e Burrelit, Kujtim Koxha nuk shfaqi pendesë për krimin e 3-fishtë. Gjatë marrjes në pyetje ditën e sotme nga togat e zeza, Koxha u tregua i rezervuar, ndërsa nuk pranoi të fliste pa praninë e avokatit të tij që ia kishte caktuar familja. Gjatë gjithë kohës në seancë ai mbante kokën ulur.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb