Formula 1 e këtij edicioni nuk do të bëjë etapë në Singapor, Japoni dhe Azerbajxhan. Organizatorët e pistës “Marina Bay” kanë zyrtarizuar heqjen dorë nga GP i Singaporit për shkak të kufizimeve lidhur me pandeminë e koronavirusit. “Shëndeti i personave që do të përfshiheshin në këtë garë u vu në plan të parë, – ka komentuar Kolin Sin, zv/president i Çmimit të Madh të Singaporit – dhe pas muajsh shumë të vështirë kemi arritur në këtë vendim”.

Këtë zgjedhje kanë bërë dhe organizatorët e Çmimit të Madh të Bakusë, Suzukës dhe shumë shpejt pritet një qëndrim i tillë edhe nga Vietnami.

Një javë përpara zyrtarizimit të tetë garave të para të Botërorit të F1, të gjitha në Europë, mbërrijnë dhe tërheqjet nga vendet e tjera të botës. Pas Australisë dhe Tajlandës tashmë dhe Singapori, Azerbajxhani dhe Japonia kanë hequr dorë nga frika e pandemisë së Covid-19.

Hipoteza që ky Botëror të garohet vetëm në Europë po gjen gjithnjë e më shumë mbështetje, pasi pandemia po krijon shumë probleme dhe në Amerikën e Jugut duke rrezikuar garat, shto këtu dhe problemet e mëdha ekonomike që po kalon pista e Austinit në Teksas. Ndaj F1 mund të ndalet më gjatë në Europë dhe të mbyllet në Abu Dabi në dhjetor, siç dëshiron FIA. Natyrisht, pa prezencën e publikut.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb