Nga KLODIANA LALA*

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Tom Doshi dhe kolegu i tij, Mark Frroku pritet të mbërrijnë sërish në Prokurorinë për Krime të Rënda, mesditën e sotme, por këtë herë jo për të dhënë dëshmi para grupit që po heton për një komplot të mundshëm për vrasjen e Doshit, por për t’u ballafaquar me njëri-tjetrin. Për shkak se në deklarimet që dy deputetët kanë dhënë para grupit hetimor janë konstatuar mospërputhje, prokuroria e ka parë të udhës t’i ulë përballë njëri-tjetrit dy ligjvënësit, ndaj në këto kushte u ka kërkuar që të paraqiten sot në orën 12:00 ku dhe do të mbahet seanca.

“Kam marrë një ftesë nga prokuroria për t’u ballafaquar me deputetin Tom Doshi. Natyrisht, që unë si ligjvënës do t’i përgjigjem ftesës dhe do të paraqitem në prokurori në orarin që më është kërkuar”, tha deputeti Frroku, i kontaktuar nga “GSH”. Frroku nuk preferoi të jepte komente të mëtejshme lidhur me cilin moment është kontradiktor me dëshminë e mikut të tij, Doshi. Ky i fundit ka deklaruar para organit të akuzës se ishte Mark Frroku, që e kishte vënë në dijeni për planin e vrasjes që ishte marrë përsipër nga Durim Bami. Pikërisht në këtë pikë, duket se Frroku ka mbajtur një qëndrim tjetër, ndonëse nuk dihet me saktësi se çfarë ka deklaruar ai. Ndaj, për ta sqaruar këtë moment, sot Doshi dhe Frroku do të jenë përballë, nëse natyrisht deputeti socialist do t’i përgjigjet ftesës, sikurse konfirmon kolegu i tij.

Ish-kryeministri

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, pritet të paraqitet sot në orën 09:00 në Prokurorinë për Krime të Rënda për të dhëna deklarime në lidhje me çështjen “Doshi”, ku deputeti socialist zbuloi një komplot për vrasjen e tij, që kishte si urdhërues kreun e Kuvendit, Ilir Meta. Ftesa për paraqitje ju bë deputetit të PD-së, Berisha, pasi në seancën parlamentare të së enjtes së kaluar, deklaroi publikisht se ishte vënë në dijeni të një skenari të mundshëm për vrasje të Doshit. Ndaj, për të sqaruar këtë moment, prokuroria i dërgoi zyrtarisht ftesën, të cilës nuk dihet nëse ish-numri një i qeverisë shqiptare do t’i përgjigjet ose jo. Po sot para grupit hetimor është ftuar të paraqitet në orën 11:00 deputeti demokrat Mhill Fufi, që sipas Tom Doshit, ishte shënjestra tjetër e komplotit dhe do të ekzekutohej nga Durim Bami kundrejt shumës prej 100 mijë eurosh.

Më herët lidhur me çështjen “Doshi”, mbërritën në prokurori dhe dhanë deklarime kreu i Kuvendit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe deputeti Mark Frroku. Prokuroria për Krime të Rënda është duke hetuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentative”, mbi bazën e deklarimeve publike të deputetit Tom Doshi, i cili deklaroi publikisht se ndaj tij dhe ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Mhill Fufi, ka patur tentativë për vrasje. Në pranga si i dyshuar për këtë krim është Durim Bami, një personazh jo pak i njohur për policinë. Çështja “Doshi” është një ndër me të vështirat që është hetuar nga prokuroria, pasi në të janë përfshirë krerët më të lartë të shtetit, çka ka shkaktuar një tërmet të vërtetë në politikën shqiptare. Nëse realisht rezulton siç thotë Tom Doshi, ngjarja padiskutim mund të cilësohet si më e rënda e ndodhur në 10-vjeçarin e fundit. Por derisa një hetim i paanshëm, i thelluar dhe larg ndikimeve politike të japë rezultatet e tij, nuk mund të thuhet asgjë lidhur me fatin e çështjes “Doshi”.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb