Kuvendi i Shqipërisë votoi pardje ndryshimet kushtetuese që lejojnë hapjen e listave të kandidatëve për deputetë dhe ndalojnë koalicionet e përbëra, ku secila prej partive të trenit mund të regjistrohet me listën e kandidatëve të vet. Në bazë të këtij ndryshimi partitë e Opozitës së Bashkuar ose duhet të dalin me një listë unike kandidatësh duke u “tretur” në një sigël të përbashkët, ose do të garojnë veç e veç. Ndryshe nga sistemi i deritanishëm, ku votat e subjekteve që nuk arrinin pragun elektoral u shkonin partive aleate që e kishin kaluar këtë prag, me ndryshimin e pardjeshëm këto vota digjen.

Hapja e listave është një hap i madh përpara (jo siç do të ishte mazhoritari i pastër) për  rimotivimin e zgjedhësve, për peshimin me votë popullore të kandidatëve brenda së njëjtës parti, për  vendosjen e votës si themel dhe si kriter i karrierës politike. Një  zhvillim si ky spikat si vlerë po të mbajnë parasysh faktin se nga viti 2009 e këndej  shumica e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë nuk janë votuar asnjëherë me emër në  jetën e tyre.

Merita për hapjen e listave u shkon deputetëve rebelë të PD-së dhe LSI-së që patën  refuzuar djegien e mandateve. Ata i kapën në ku ndërkohë partitë e mëdha dhe imponuan ndryshimin me votat e tyre kushtëzuese në Kuvend.

Në vetvete, jashtë kontekstit politik të karakterizuar nga tensionet dhe paqëndrueshmëria, argumente dhe referenca pro dhe kundër mund të sillen edhe për ndryshimin e formulës së koalicioneve. Por qëkurse doli në skenë papritur si ide është kuptuar se Rama mori një propozim të mirë siç ishte ai i hapjes së listave për  t’i  bashkangjitur si rabat një kalkulim apo hall të tij elektoral me qëllim që t’i reduktojë  “Opozitës së Bashkuar” përparësitë e të qenit një aleancë shumë më e gjerë dhe më kuptimplote se ajo e partive qeveritare. Kështu shpreson të fitojë, jo duke marrë vetë më shumë vota se opozita, por duke  i çuar dëm sa më shumë vota opozitës. Për këtë gjë ai  rrezikoi rikthimin e konfliktit me “Opozitën e Bashkuar” dhe luftën e ftohtë me partnerët strategjikë. Duke u treguar të gjithëve më qartë se sa e dinin se sa i kapur është pas pushtetit dhe sa të lehtë e ka të sakrifikojë gjëra të mëdha vetëm për t’i hequr një grusht votash opozitës, që edhe ketë nuk e  ka të sigurtë! Historia ka dhënë shembuj kur ndryshimet blitz dhe të njëanshme u janë kthyer në bumerang atyre që i kanë ndërmarrë. Sepse zgjedhësit kanë një  nuhatje të pagabueshme për të dalluar  qëllimet e vogla apo të mbrapshta prapa  retorikave populiste.

Partia Demokratike  dhe “Opozita e  Bashkuar” e përqafuan hapjen njëqind për qind  të listave, por ngulmuan për ruajtjen e koalicioneve të përbëra. Besoj se nuk kishin  probleme as për formulën e koalicioneve, por thjesht nuk deshën të tërhiqeshin zvarrë nga çfarë i pjell mendja Ramës apo nga frustrimet e tij pas marrëveshjes së 5 qershorit. Në fakt ndryshimet kushtetuese u avancuan në shenjën e provokimit të opozitës dhe u votuan po në shenjën e sfidës ndaj saj dhe faktorit ndërkombëtar. Kushtetuta nuk është si çdo ligj.

Ndërhyrjet në ligjin themelor të shtetit kërkojnë përfshirje të gjerë të ekspertëve, diskutime të shtuara dhe jo në këmbë e në duar, siç thotë populli; kërkojnë një atmosferë besimi dhe gjithëpërshirje në respekt të ndërsjelltë në çdo element të procesit, që nga mënyra e shtruar e komunikimit deri te koha që i jepet në dispozicion palës që është ftuar t’i bashkohet nismës. Së fundi, dhe kjo është  ndër të parat, ndryshimet kushtetuese kërkojnë  legjitimitet solid të Kuvendit, gjë që Kuvendi aktual nuk e ka sa për shkak të  fakteve që kanë dalë e vijojnë të dalin në lidhje me shitblerjen e votave në zgjedhjet e vitit 2017, aq edhe për shkak të  djegies së mandateve nga Opozita e  Bashkuar. Legjitimiteti i cunguar  i Kuvendit mund të kompensohej në këtë rast, duke siguruar dakordësinë e “Opozitës së Bashkuar”, siç ndodhi me hapjen e listave, përshembull. Por për Ramën duket se ndryshimi i formulës së koalicioneve  vlente më shumë se hapja e listave. Rabati  vlente me shumë se malli i parë. Ndaj nuk hezitoi të shkelte mbi praktikat e mira ndërkombëtare të ndryshimit  të Kushtetutës si ato që shënuam më sipër. Kështu dua unë! Ky është kufiri, këtu përfundojnë të gjithë të keqkuptuarit me pushtetin, që pasi nuk u dalin llogaritë me demokracinë fillojnë  e rrëshqasin në autoritarizëm  e më keq se në autoritarizëm me alibinë e  gatshme, por të dalë boje të sovranizmit.

E përsërisim: sovranizmi i liderëve shqiptar ndaj SHBA dhe Europës ose ka qenë vasalitet ndaj diktaturave të Lindjes, ose  izolim, autoritarizëm, diktaturë ndaj vendit dhe popullit të tyre. S’ka  tjetër. Vetëvendosja jonë është euro amerikane. Po të ishte autoritarizmi një trend  i SHBA dhe vendeve të Evropës Perëndimore, liderët shqiptarë me formim të cunguar demokratik, historik dhe etik do ta bënin me keq se askush. Por  SHBA janë demokracia më e madhe e botës, infrastruktura e së cilës nuk lejon shmangie. Europa është demokratike gjithashtu. Nuk mjaftojnë regjimet autoritariste të Turqisë apo Hungarisë që Tirana të rrëshqasë në autoritarizëm. Kush përkundet në këto iluzione i bën gropën vetes. Përveç kontekstit të favorshëm ndërkombëtar, Shqipëria ka një opozitë të madhe. Ajo ka paguar herë pas here koston e vendimeve të veta të llogaritura me nxitim, por mbetet një  fuqi e madhe demokratike dhe një alternativë  reale e pushtetit.

Për opozitën dhe për  vendin tonë në tërësi problemi madhor në lidhje me zgjedhjet ka qenë çlirimi i tyre nga skema vdekjeprurëse me të cilën i ka rrethuar Partia Socialiste në pushtet. Kjo  ka qenë dhe  mbetet ende, në përmasa  më të vogla besoj, por mbetet megjithatë, skema e përdorimit të grupeve kriminale si forcë komplementare ose e integruar e PS-së në zgjedhje, gërshetuar me skemën e  mbulimit një për një të zgjedhësve e familjeve me një presion  të tipit të Vëllait të Madh dhe blerjes së votës me para e shpërblime. Zgjedhjet nuk  janë të lira për këtë shkak. Çlirimi i tyre nga ky lloj rrethimit që nuk e njeh  Europa  kërkon më shumë se amendamente ligjore rutinë. Megjithatë opozita  u investua shumë  për Reformën Zgjedhore në kuadrin e Këshillit Politik dhe mirë bëri.

Ky angazhim  ka qenë para së gjithash një lëvizje politike  në shërbim të hapjes së negociatave dhe më tej, për të ripërtërirë lidhjet e saj  organike me partnerët perëndimore, të dobësuara nga ngjarjet e vitit të shkuar. Qeveria dhe opozita janë gjithnjë në një varkë sa u takon  sfidave kombëtare dhe interesave të qytetarëve. Prej këtu  ka dalë në pah edhe  një dashje e opozitës  për të parë përpara me një mendje tjetër nga të gjithë. Rama nuk deshi, a nuk arriti të  hynte në lidhje si shtetar me këtë dashje. Ndaj bëri atë që bëri.

Ai e regjistroi  këtë sfidë të re ndaj opozitës dhe  kësaj radhe, dukshëm më qartë se herë të tjera, edhe ndaj kryeqyteteve politike të vendeve mike perëndimore. Do të shohim sa e duan shqiptarët e epokës së demokracisë dhe sa u kushton atyre sovranizmi arkaik. Në këtë moment PD dhe opozita duhet të shmangin  rënien në kurthin e politikës së kalkulimeve. Fryma është e para, programi, ekipet me rrezatim në publikun e gjerë,  investimi i shpresës, besimit dhe gëzimit  për ndryshimin e mundshëm, përgatitja dhe  shpallja e propozimeve konkrete për rrugët konkrete të realizmit të çdo premtimi, që nga rritja e rrogave e pensioneve e deri te mbështetja e sektorëve prodhues që krijojnë punë  për të rinjtë e zhvillim për vendin. Fryma krijon. Kalkulimet ndihmojnë./Gazeta Liberale

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb