Kristo dhe Aleksandra Angjeli, çifti i farmacisteve të arrestuar pasi fshihnin në banesë medikamente kontrabandë me vlerë 70 mijë euro, kanë kundërshtuar kontrollin e banesës së tyre të kryer nga policia.

Çifti ndodhet që nga 13 tetori në “Arrest shtëpie”, ndërsa çështja e kundërshtimit të kontrollit është regjistruar të premten në 21 tetor në Gjykatën e Sarandës.

Objekti i padisë së çiftit 64 e 62 vjeçar është: “Deklarimin e pavlefshëm të aktit procedural të procesverbalit të datës 10.10.2022 të kontrollit të banesës”.

Padia do te shqyrtohet nga Gjyqtarja Suela Xhani në ditët në vijim.

Kujtojmë se në 10 tetor policia e Sarandës ushtroi kontroll fillimisht në farmacinë e çiftit në lagjen nr.2 ku u gjetën një sasi medikamentesh të llojeve të ndryshme, të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës, të cilat ishin futur kontrabandë.

Operacioni ka vijuar me kontrollin e banesës së këtyre dy shtetasve, të cilët sipas policisë, janë munduar që t’i orientojnë uniformat blu në një banesë tjetër, me qëllim shmangien e kontrollit në banesën e tyre. Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e bashkëshortëve, ku kanë konstatuar dy dhoma në të cilat ishin magazinuar 1287 lloje medikamentesh mjekësore në sasi të ndryshme, me vlerë rreth 70 mijë euro. Medikamentet mjekësore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: