TIRANE – Përgjatë vitit 2015, ILDKP-ja ka kallëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme një numër jo të vogël deputetësh, për fshehje pasurie. Më 7 prill 2015, ILDKP-ja kallëzoi në prokurori Ridvan Boden, deputet, ish-ministër, për akuzat e “Fshehjes së pasurisë” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Më 8 maj 2015, Inspektorati kallëzoi Andis Harasanin, për funksionet Drejtor i KESH-it (2003-2005) dhe deputet i PS-së për periudhën kohore 2005– 2012. Sipas ILDKP-së, në përfundim të kontrollit të deklaratave pasurore të Harasanit rezultuan deklarime të rreme, kontrata fiktive e të falsifikuara, fshehje të pasurive dhe transfertave bankare, të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare, në banka brenda dhe jashtë vendit, në shumën rreth 2.600.000 USD.

Më 15 maj 2015, ILDKP-ja kallëzoi deputetin Tom Doshi për fshehjen e rreth 14 mln eurove dhe për pastrim parash, brenda dhe jashtë vendit, në shumën rreth 9.000.000 euro. Kallëzimit në prokurori nuk i shpëtoi dot as Dritan Prifti, ish-ministër dhe ish-deputet i Kuvendit.

Nga kontrolli i ushtruar për periudhën kohore 2003–2013, ILDKP pretendon se ka zbuluar kontrata fiktive pasurish e transferta bankare në shumën rreth 4.600.000 euro. Për fshehje të rreth 3 milion eurove, ILDKP ka kallëzuar penalisht në 1 prill 2015 edhe deputetin kristiandemokrat, Mark Frroku.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb