Lëvizjet në trupin diplomatik shqiptar, kanë prekur një numër të konsiderueshëm përfaqësish të vendit tonë në botë. Në total mësohet se nga reforma do të lëvizin 28 persona, të cilët nuk përmbushin kriteret e ligjit për shërbimin diplomatik dhe janë të emëruar jashtë sistemit. Fakte të cilat kane shtyrë grupin e punës të ngritur pranë MEPJ të marre vendimet, të cilat konsiderohen më se të ligjshme.

News24 ka zbuluar disa prej emrave, që do të duhet të lënë detyrën që e mbajnë prej kohësh. Burimet bëjnë me dije se është liruar nga detyra në Misionin e Shqipërisë në Gjenevë të Zvicres Fatjon Demneri.

Ndërkohë, burime të mirëbesuara thanë për News24 se është urdhëruar që në Misionin në Nju Jork, të lirohet nga detyra edhe Arben Idrizi, ndërsa për Eltion Vërlenin është urdhëruar kthimi në atdhe për të shërbyer sipas nevojave të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Në listën e siguruar, vihet re edhe shkëputja nga detyra e Xhuljeta Kekos, pjesë e Ambasadës shqiptare në Hagë.

Më herët, gjatë ditëve të fundit janë publikuar edhe lëvizjet e diplomatëve shqiptarë në Greqi. Kështu janë lëvizur Florian Nova dhe Enkelejda Riza. E po ashtu u bë publik edhe lirimi nga detyra i Pranvera Skanës, këshilltare në Ambasadën shqiptare në Londër, si dhe konsullit të Romës Edmond Kumaraku. Vendimet për të shkëputur marrëdhëniet e punës ose për transferim, janë marrë për shkak se këta punonjës kanë qëndruar në detyrë përtej afatit ligjor dhe kritereve të sanksionuar në ligj.

Vetë ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, ka deklaruar pak ditë me parë se reformimi i shërbimit diplomatik, kryhet bazuar në nevojat e shtetit shqiptar. Cakaj ka nënvizuar se një numër i të shkarkuarve nuk ka pasur performancën e duhur në punë, si dhe kanë pasur shumë pak kontribut për të miratuar vijimin në detyrë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: