TIRANË

Shkarkimin e 20 personave në Ministrinë e Europës dhe Punët e Jashtme, ish-deputeti i PD-së, Aldo Bumçi e cilëson si një goditje të Ramës ndaj ish-ministrit, Ditmir Bushati.

Teksa ishte ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, ai tha se pas lëvizjeve tek ministri e Jashtme qëndron kryeministri Edi Rama, ndërsa shtoi se janë shtuar zërat kundër kryeministrit edhe  brenda radhëve të PS-së.

“MEPJ-ja pësoi disa goditje edhe në kohën kur ministër ishte Ditmir Bushati. Vendimin për largimin e 20 personave e ka bërë Rama. Kjo është një goditje që i bëhet ministrit të larguar. Kjo për dy arsye: Për çështjen e kufijve ka mbajtur një qëndrim të ndryshëm  nga kryeministri i tij, i cili e ka mbështetur i kësaj ideje. Ka zëra si ish-ministra dhe deputetë që janë shumë kritikë me Ramën. Ajo ministri ka degraduar, duke nisur nga personi që është ngarkuar me punë. Ai është caktuar aty për të mbështetur korrigjimin e kufijve”, tha ai.

I pyetur për aksionin opozitar, Bumçi tha se protestat nuk do të ndalojnë, por do të shtohen si në numër ashtu edhe në emocione. Ai tha se djegia e mandateve ka qenë vendim ekstrem dhe i vetmi shteg që i kishte mbetur opozitës së bashkuar përballë një qeverie të kapur.

“Aksioni opozitar është tashmë i detyruar në kuptimin e asaj që zgjodhëm. Dogjëm mandatet dhe dolëm në rrugë me vetëdije. Vendi është pa Gjykata Kushtetuese, e cila është e barabartë me një grusht shteti. Gjykata është garanti i fundit dhe përfundimtar. Kemi dy vite pa Gjykatë dhe kjo është e padëgjuar më parë. Rruga jonë do të jenë protesta dhe nuk do të mbarojë shpejt. Ne duhet të kemi durim. Qytetarët kanë një urrejtje ndaj Edi Ramës. Protestat do të vijnë duke u rritur edhe në numra, por edhe në emocione. Ndryshe nga Parisi që u dogjën biznese e makina, këtu nuk është thyer asnjë xham, sepse opozita është e përgjegjshme. Në zonat rurale niveli i varfërisë po shkon drejt skamjes”, shtoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: