TIRANE- Kategoria Superiore do të luhet e gjitha të shtunën për javën e 21-të. Sektori i garave në FSHF, në bashkëpunim me kompaninë “Supersport”, që ka të drejtën e transmetimit të kampionatit, ka vendosur dje që kjo javë të mos jetë e shpërndarë në dy ditë, ashtu siç ka ndodhur që prej startit të këtij sezoni. Interesant është fakti se të dielën, që përkon me ditën e Shën Valentinit (14 shkurt), nuk do të ketë asnjë ndeshje të Superiores. “Panorama Sport” pyeti dje në institucionin e futbollit nëse ky vendim vinte për shkak të festës së të dashuruarve, por duket se arsyeja madhore nuk ishte kjo. “Duke qenë se më 17 shkurt do të zhvillohen ndeshjet e kthimit për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, atëherë gjykuam që skuadrat të kishin më shumë kohë në dispozicion.

Fillimisht menduam që java të niste të premten, por përfundimisht u vendos që të pesta ndeshjet e Superiores të zhvillohen të shtunën. Në të njëjtën ditë nis edhe kampionati i Kategorisë së Parë”, sqaruan dje për gazetën burime zyrtare në FSHF. Kësisoj, futbollistët pritet t’i gjejë pushim dita e të dashuruarve, në një kohë që nuk ka ndodhur kështu në sezonin e kaluar. Pikërisht më 14 shkurt të vitit 2015 janë luajtur të gjitha ndeshjet e Superiores. Gjithsesi, edhe këtë herë duket se gjithçka mbetet në dorë të trajnerëve, pasi 8 skuadrat që janë të angazhuara në Kupë, zor se mund të pushojnë të dielën pa kryer stërvitje. Kjo mbetet për t’u parë…

Ndeshjet – Katër do të luhen në orën 13:00, ndërsa një në 16:00. Sektori i garave ka përcaktuar dje që ndeshjet TiranaBylisi, Vllaznia-Partizani, Tërbuni-Skënderbeu dhe Kukësi-Teuta të luhen në të njëjtën orë, pikërisht 13:00. Ndërsa takimi që do të mbyllë javën e 21-të të Superiores është ai që do të luhet në Vlorë mes Flamurtarit dhe Laçit, i parashikuar për në orën 16:00. Kjo do të jetë e vetmja ndeshje që do të ketë nevojë për sistemin e ndriçimit. Të pesta do të transmetohen nga “Supersport”, ndërsa një ndeshje edhe nga TVSH.

Tirana – Deri në fundjavë, i vetmi orar që mund të ndryshojë është ai takimit Tirana-Bylisi. Në stadiumin “Selman Stërmasi” është vendosur sistemi i ndriçimit dhe klubi bardheblu kërkon që ta inaugurojë në takimin e së shtunës. Mirëpo, deri dje, nuk kishte një vendim përfundimtar nga ana e klubit, për më tepër, që edhe FSHF nuk ishte njoftuar. Në rast se drejtuesit bardheblu nuk ndryshojnë mendje deri të enjten, atëherë takimi do të zhvillohet në orën 13:00. Nëse ndodh e kundërta, gjasat janë që të luhet me drita në 18:00 ose 19:00.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: