Ish-Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, sot në detyrën e Kryetarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës, ka reaguar me anë të një postimi në profilin e tij të rrjetit social “Facebook”, ku sipas tij, FSHF po përgatit një skemë të re për kampionatet e moshave edhe pse dy javë përpara fillimit të edicionit të ri:

“DHE YJET RRIJNË E VËSHTROJNË”

Nga FSHF rrjedh informacioni se «organet» janë duke shqyrtuar miratimin e një skeme të re të organizimit të kampionateve kombëtare të moshave.

Natyrisht që duke respektuar traditën tashmë te konsoliduar, proçesi që po zhvillohet në atë që quhet Shtëpia e Futbollit është i mbyllur, jo-transparent dhe krejt arbitrar për vetë futbollin.

Së pari, vendimi për strukturën e kampionateve po merret vetëm dy javë para datës së fillimit të kampionateve. Me siguri unik në tërë UEFA-n, ky është një vendim në kundërshtim me statutin dhe kundër çdo llogjike normale në futboll. Një veprim që mund ta kryejnë vetëm individë që ndonëse drejtojnë futbollin duken qartë që futbolli është gjëja që ju intereson më pak.

Së dyti, nuk është bërë asnjë konsultim paraprak me komunitetin dhe sidomos me palët e interesuara direkt. Me këtë krerët e FSHF dëshmojne se askush nuk i ka informuar se së paku teorikisht se ata janë njerëz të zgjedhur nga komuniteti i futbollit. Se mandati që kanë marrë (?!) është për të bërë vendime në interesin e atij komuniteti ashtu si do dhe si e shikon për mbarë anëtarësia dhe jo si e thurin mendjet e paditura të kupolarëve apo si e kërkojnë interesat e tyre korruptive.

Sipas informacioneve po edhe duke patur të qartë mentalitetin primitiv të kupolës drejtuese, jam i bindur se «skema e re» nuk do të jetë tjetër veçse një proçes larje hesapesh me ca dhe shpërblimesh për ca të tjerë. Pseudo-ekspertet dhe pseudo-komiteti në ketë rast nuk do t’i lënë asgjë mangut komisionit famëkeq të dëbim-internimeve të kohës së diktatures.

Bëj thirrje që t’i thërrasin mëndjes dhe të mos e trashin zullumin sa nuk është akoma vonë. Të mos t’a shndërrojnë Shtëpinë 10 million euroshe të Futbollit në «shtëpinë me gjethe». Koha është vërtet e dallkaukëve por futbolli është i atyre që derdhin paratë, djersën dhe pasionin në të. Mjaft!”, ishte postimi i Eduard Prodanit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb