Deputeti i lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi nga komisioni parlamentar për sigurinë, ka folur në lidhje me kompetencat e reja që do të marrë Forca e Sigurisë së Kosovës pas votimit në kuvend këtë të premte. Duke folur për emisionin Diplomaticus të gazetarit Erion Kaçorri në televizionin News24, Selimi shpjegon se FSK do të ketë kompetencat e ushtrisë dhe për këtë nuk nevojiten ndryshime kushtetuese.

“Lëvizja Vetëvendosje që nga fillimi ka mbështetur qoftë ndryshimet kushtetuese që e bëjnë Forcën e Sigurisë së Kosovës në një forcë të armatosur qoftë edhe në ndryshimet ligjore që nuk prekin kushtetutën, por ndryshojnë materien, misionin, detyrat dhe kompetencat e Forcës së Sigurisë së Kosovës pa ia ndryshuar fare emrin. Në rrethanat ku ne jemi, kemi bërë këtë të dytën, pra kemi mbështetur ndryshimet ligjore që nuk prekin ndryshimet kushtetuese, por këto ndryshime ligjore i japin mision dhe detyra të tjera Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në rastin konkret nuk është e nevojshme as vota e cilësuar, as dy të tretat. Mjafton shumica e thjeshtë që të kalojnë këto ligje për shkak se kemi të bëjmë vetëm me ndryshime ligjore dhe jo ndryshime kushtetuese” thekson deputeti Selimi për News24 teksa nënvizon se kjo forcë do të vazhdojë të quhet FSK, por me kompetenca të ushtrisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb