Kryeministri Edi Rama është shprehur në emisionin “Opinion” se ftesa e tij për bashkëpunim me PD nuk ka asnjë vijë të kuqe dhe asnjë kufi. Rama theksoi se kjo ftesë është vetëm për PD dhe jo për LSI dhe se ai njeh si opozitë vetëm PD-në.

Keni ftuar Partinë Demokratike për bashkëpunim. Mënyra që keni përdorur është pak evazive. Çfarë lloji bashkëpunimi keni pasur në mend ju me PD-në. Si e shihni ju bashkëpunimin me PD-në?
Unë mendoj dhe besoj shumë fort që duhet të bëjmë një sforco të madhe të gjithë, edhe ju, por në radhë të parë ne dhe në radhë të parë unë si kryetar i PS-së. Edhe si kryeministër për të tretën herë, që ta çojmë politikën dhe debatin politik përtej pandemisë duke u munduar ta lehtësojmë nga e gjithë marrëzia që e karakterizon dhe mundësisht ta balancojmë pak energjinë që konsumohet çdo ditë në skenën e debatit politik për t’u marrë me njeri-tjetrin, në kuptim më banal të fjalës se me njeri-tjetrin do merremi, s’do merremi me UFO-t, por me konflikte, me sherre, me ekstreme që nuk prodhojnë asgjë të mirë për vendin.

Cila është zgjidhja juaj për këtë? Çfarë projekti keni dhe çfarë oferte?
Nuk është ideja për t’i thënë opozitës rri urtë, absolutisht jo sepse opozitat që funksionojnë, se kjo është një opozitë që deri tani ka qenë disfunksionale, nuk ka qenë funksionale. Është thjesht dhe vetëm për të hapur një kapitull të ri në politikën shqiptare që na takon ne ta bëjmë sepse u bënë 30 vjet.

Si, në ç’formë?
Me vullnetin e mirë në radhë të parë të jo vetëm të kuptuarit teorikisht se teorikisht e dimë të gjithë ne që s’jemi armiq, e themi. Nuk jemi këtu për të asgjësuar njeri-tjetrin, por me vullnetin e mirë për ta tejkaluar këtë fazë adoleshence të politikës shqiptare.

A ka një tentativë për ta ftuar në bashkëqeverisje opozitën?
Çdo bashkëpunim ose ndërveprim mes forcash politike, fillon njëherë në radhë të parë në frymë. Do pajtohesh me frymën.

Ngriheni ju mbi 74 mandate për t’i kërkuar PD-së që të jetë pjesë në qeverinë tuaj?
Po nuk u pajtove me frymën pastaj nuk arrin dot të bësh gjë tjetër. U pajtove me frymën, nëse këtë frymë e ka dhe opozita, atëherë mbi bazën e kësaj fryme palët diskutojnë…

Mund të ofroni ju një ribërje të zgjedhjeve lokale?
Ju doni përgjigjeni 1,2. Merre drejtimin e PD dhe hajde.

PD del dhe thotë kam vullnet të mirë të bashkëpunoj, cili është bashkëpunimi që ofron ti?
Nuk kam asnjë kufi fare. Nuk kam kufi, fare.

Edhe bashkëqeverisje?
Asnjë kufi. Nuk të jap ty përgjigje fare, se nuk je kryetar i opozitës, kur të bëhesh kryetar i opozitës flasim dhe unë të sugjeroj realisht që ta konsiderosh këtë gjë. Nuk e kam me shaka. Po të them unë nuk kam asnjë kufi. Fare!

Për shembull, një ribërje e zgjedhjeve lokale, parakohe?
Çfarë do të thotë, tani do e diskutojmë këtu? S’kam kufi fare.

Nuk keni tabu për këtë?
Nuk kam asnjë tabu, fare, zero.

Po vijë të kuqe?
Asnjë, asnjë!

Pra, ju jeni përballë opozitës shqiptare dhe thoni jam i gatshëm për çdo gjë?
Jo opozitës shqiptare, Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ka një dallim të madh. Partisë Demokratike të Shqipërisë. Unë di opozitë shqiptare Partinë Demokratike të Shqipërisë. Nuk kam punë me asnjë tjetër.

Vullneti juaj për bashkëpunim i drejtohet PDSH-së? Po 107 mijë votuesit e LSI?
Nuk më interesojnë fare, LSI për mua i përket një kategorie tjetër. Nuk hyn fare tek kjo kategori që flasim ne. Unë flas këtu për opozitën shqiptare.

Pra ju jeni të gatshëm pa limit të bashkëpunoni me opozitën shqiptare? Nga do varet ky bashkëpunim?
Me PD-në. Me të tjerë nuk kam punë fare. Zero.

Nëse PD vjen me një letër dhe thotë duam këto, jeni të gatshëm?
Nuk është me ne duam këto, prandaj po them. Vendoset në frymë njëherë, pastaj nëse është fryma, atëherë hajde ulemi dhe fillojmë ndërtimi ne parimeve të këtij bashkëpunimi. Nuk kam kufi.

Nuk e keni kushtin që Lulzim Basha duhet të ndahet nga Berisha dhe Meta për të bashkëpunuar?
Meta është jashtë çdo lloj konfiguracioni dhe me Ilir Metën do merret parlamenti. Ilir Metën populli e dënoi. Është i dënuar nga populli shqiptar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb