Nga Rudina Xhunga

Rruga për në Çajup është rrugë mali, po e shtruar dhe nga Gjirokastra nuk zgjat më shumë se 30 minuta. Rrugës po ndalove për çaj e rigon, më shumë vonon. Po kur arrin në atë fushë, mbi mal, zëre se ke arritur në parajsën e malësive jugore shqiptare. Shqiptarë të mrekullueshme, udhëtoi dhe e tregoi në një emision për t’u parë, shijuar dhe pastaj po të doni na besoni, e po të doni shkoni vetë e provoni!

Rudina 1
Rudina 1

Intervista!
Rudina Xhunga: Epo të ngjitesh në majë të Çajupit dhe të gjesh Engjëll Serjanin si ditën që e kam njohur kur isha 25-vjeç.

Engjëll Serjani: Dhe për mua është e befasishme që të gjeta këtu në Çajup, që është vërtet një vend i bukur.

Rudina Xhunga: Po mirë, si ka mundësi që unë nuk kisha qenë asnjëherë këtu? Të gjithë e dinë këtë vend që unë s’e di?

Engjëll Serjani: Këtu është një vend paksa i fshehur, por ka një histori shumë të hershme. Ka histori që lidhen dhe me luginën e Drinos dhe me Zagorinë. Është një vend midis të dyjave, dhe ka qenë shtegu i vetëm që lidhte këto krahina. Këto kanë qenë rrugët e karvanëve, por edhe rrugët e hajdutëve, sepse ka dhe një këngë të vjetër.

Rudina 2
Rudina 2

Rudina Xhunga: Si ishte kënga?

Engjëll Serjani: “O Çajup, o vend i bukur

O bahçe e luleve

Më përpara ti ke qenë

Pusi e hajdutëve.”

Këtu kalonin zakonisht kubetlinjtë, të cilët e dinin se çfarë i priste në Çajup edhe në përgjithësi florinjtë i qepnin në rroba. Që kur niseshin nga Australia, Amerika, përpiqeshin të ruanin pasuritë.

Rudina Xhunga: Mos na trego histori hajdutësh, na trego ca histori të bukura se për hajdutë kemi plot ne. Shqiptarët e mrekullueshëm i kemi për të tjera.

Engjëll Serjani: Çajupi e ka emrin e tillë nga çaji. E gjitha kjo kurorë me male rreth e rrotull ka çaj.

Cajup
Cajup

Rudina Xhunga: Po uji, më thanë qe të shëron?

Engjëll Serjani: Uji ose të shëron ose të qëron. Sepse këtu kanë ardhur shpesh njerëz që karantinoheshin, trajtoheshin me ushqimin e bagëtive. Këtu janë kullota shumë të pasura, që bëjnë mishin dhe qumështin më të mirë. Vinin zakonisht njerëz të sëmurë me tuberkuloz.

Rudina Xhunga: Këtu domethënë karantinë për koronavirus qenka vendi më i mirë në botë?

Engjëll Serjani: Është i paparë, dhe këtu ai uji e tret menjëherë ushqimin sado i rëndë që të jetë.

Rudina Xhunga: Vinin njerëz dhe qëndronin?

Engjëll Serjani: Prandaj vinin, që atë ushqim që hanin e tretnin dhe ndërkohë mushkëritë e tyre të dëmtuara rigjeneroheshin. U bëra si doktor tani. (qesh)

Serjani
Serjani

Rudina Xhunga: Jo, jo, jemi në kohë doktorësh tani, na duhen. Mua për këtë më vjen keq, si nuk ka investim për të mirën e shëndetit?

Engjëll Serjani: Këtu, për shumë kohë ka funksionuar një repart ushtarak zbulimi, mbase i parë dhe bunkerët rrugës. Këto janë trashëgimi e viteve të komunizmit, por në atë periudhë, gjimnazistët e Gjirokastrës vinin dhe bënin ski. Natyrisht, akoma nuk e kemi zgjidhur, sepse është akoma në gjyq pronësia e fushës.

Rudina Xhunga: Ç’bëhet, nuk e keni idenë se çfarë po humbisni. Kjo është historia jonë, që s’e gjen dot kurrë. Po i lumtë këtij që ka bërë këtë bujtinën, ku të gjeta ty për drekë dhe do të ha drekë edhe vetë, sepse të paktën Pëllumbi e paska bërë një gjë kur vijnë njerëz.

Engjëll Serjani: Pëllumbi e ka origjinën nga Picari dhe këtu ka kopenë e familjes së tij dhe nga kopeja filloi të ngrihej gradualisht ose pa dashje ky investim.

Rudina Xhunga: Hajde të vemi ta takojmë Pëllumbin që ngriti bujtinën pa dashje, po diti çfarë të bëjë! Jam në majë të Çajupit, dhe Pëllumbi më ka veshur me gunë dhe më ka dhënë një kërrabe (bastun), edhe një qeleshe në kokë. Më duket se dhe nëpër dhëmbë më ka ngelur mish, se kam ngrënë mish e ça s’kam bërë. Pëllumbi nuk do të intervistohet. Çfarë halli ke, apo nuk e përballon dot nga kaq shumë njerëz që vijnë dhe ikin. Ai është ë?

Pëllumbi: Faleminderit!

Pellumbi Rudina
Pellumbi Rudina

Rudina Xhunga: Po ç’e ke këtë parajsë që ke ngritur këtu në Çajup? Si ka mundësi që vetëm ty të ka shkuar në mendje?

Pëllumbi: Kam tre vite që ofroj turizëm, pritje në stan. Kam filluar me të huaj. Punoj me disa agjenci. Këtë vit duke qenë edhe para faktit që kemi qenë të izoluar, ne nuk e kemi lejuar të presim turistë. Ka pasur kërkesa për të ardhur, por s’mundeshim. Kjo është java e parë që e kemi hapur.

Cajup Pl
Cajup Pl

Rudina Xhunga: Dhe je plot. Sepse unë erdha që të bëj një gjë të bukur, por për të ngrënë drekë, kam ngrënë aty ku piqej keci. Sepse nuk ka vend. Po, do ta shtosh? Si e ke ndërmend? Sepse mua sesi më duket, gjithë ky vend që nuk përdoret për asgjë. Më fal, por unë nuk e dija që ekzistonte në hartë, jo ta prekja e ta shkelja. Një vend si ky s’e gjen të dytë.

Pëllumbi: Faktikisht është një vend shumë i bukur. Më shumë Shqipërisë ja dinë të huajt bukuritë, sesa shqiptarët.

Rudina Xhunga: Si s’të kapa një moment të lirë sot? Vetëm duke vrapuar.

Pëllumbi: Sepse sot është java e parë që po punojmë pas karantinës dhe e kemi të prenotuar.

Cajup 3
Cajup 3

Rudina Xhunga: Ja për shembull, jo vetëm që s’ka vende por të gjithë janë ulur aty dhe po hanë. Ça hahet këtu kur vihet?

Pëllumbi: Këtu hahet mish në hell, qengj apo kec.

  • foto galeri
  • foto galeri

Rudina Xhunga: Ça hëngrëm sot, qengj apo kec?

Pëllumbi: Kec.

Rudina Xhunga: Kec me kripë dhe erëza Çajupi. Ja këtu pas meje ke pelinin, diku më tutje lëpjeta. Ça s’ka. Rrugës mora rigon, sherbele. Ky është vendi i parajsës, thonë që të shëron, thonë që të çliron, thonë se të mëson. Mua më mësoi një mundësi të mirë për zhvillimin e Shqipërisë. Po nuk e zhvilloi turizmi, nuk ka gjë tjetër që ta zhvillojë. Siç e bëri Pëllumbi këtë vend, ka të ngjarë ta bëjnë dhe të tjerë. Apo nuk do që të vijnë të tjerë?

Pëllumbi: Për mua është kënaqësi të vijnë njerëz të tjerë, sepse secili ka riskun e vet.

Rudina Xhunga: U takofshim përsëri në Çajup e vende të tjera si Çajupi që Shqipëria ka plot, Me shqiptarë të mrekullueshëm si Pëllumbi dhe këta që vijnë e hanë të Pëllumbi, se të mrekullueshëm janë dhe ata. Nuk ulen në tavolinat e restoranteve të qyteteve, por vijnë në majë të malit, ecin për të arritur deri këtu. Edhe mund të flesh, por si në stan, ne stanet e Cajupit.

Golemi
Golemi

Rudina Xhunga me kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi.

Rudina Xhunga: Flamurin, kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës e gjeta në Çajup. Po në Çajua pse? Çajupi është i Libohovës, s’është i yti?

Flamur Golemi: Në fakt është i Gjirokastrës, i Libohovës. Është i gjithë qarkut të Gjirokastrës. Edhe e shijojmë të gjithë si qark. Për fat të mirë gjatë gjithë kësaj periudhe kemi qenë një zonë e gjelbër, pra kemi shpëtuar nga Covid-19, edhe është shans i mirë për të shijuar këtë zonë. Shpresoj fort, besoj fort dhe ftoj gjithë shqiptarët ta shijojnë! 90% e turistëve që e shijojnë Gjirokastrën janë të huaj. Është momenti për ta shijuar dhe do të jetë një eksperiencë që nuk do ta harrojnë. Gjirokastra ka kulturën, ka historinë ka trashëgiminë. Por ka dhe kulinarinë, ka gjithë luginën e Drinos, ka Çajupin, ka Libohovën, Tepelenën, ka Përmetin. Ofrohet një paketë e plotë dhe kjo që po ofrohet sot është tre ditore, një javore, ke hiking, sportin, i ke të gjitha.

Golemi 1
Golemi 1

Rudina Xhunga: Ku do të më çosh mua kur të vij të tregoj fshatrat e Gjirokastrës?

Flamur Golemi: Kemi shumë. Nuk kemi thjesht 100 fshatrat. Kemi Doksatin, Erindin, Kakozin, Karjan, Zhulatin, Picarin, Golëmin, Çajupin, gjithë Gjirokastra, gjithë lugina e Drinosë është pasuri më vete. E thashë dhe herë tjetër, është një shans këtë vit që ne si qytet të fitojmë edhe turistët e vendit. Kemi shumë shqiptarë që nuk e kanë shijuar, s’e kanë provuar.

Cajup 6
Cajup 6

Rudina Xhunga: S’i dinë fare. Edhe këtë verë po prenotojnë për detin. Lëreni detin se aty e keni. Shikoni malin që nuk e keni parë kurrë! Keni parë vetëm male veriu, po malet e jugut?

Flamur Golemi: Vetë Çajupi është një nga zonat më të bukura. Ka një përqendrim oksigjeni që ndien organizmin, tjetër, është botë tjetër. Të shijon gjithçka. Të shijon uji, ajri, ushqimi, është një eksperiencë që do t’ju lërë me mbresa të pashlyeshme.

Rudina Xhunga: Hajdeni, merrini fëmijët, lëshojini këtu në Çajup. Hajdeni dhe provojeni!/dritare.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb