Akademiku Artan Fuga ka komentuar hapjen e listave me kandidatë militantë apo mbajtjen e tyre të mbyllura si një domosdoshmëri të lidershipit kryesor të partive.

Sipas Fugës këto lista sigurojnë lidershipin kryesor të partisë, grupin minoritar që e kontrollin dhe siguron zgjedhjen si deputet.

Ai gjithashtu parashtron disa raste se në rast listash të hapura, kandidati i fundit në listë merr më shumë vota se sa kryetari i partisë, atëhere me çfarë morali politik do e drejtonte ky i fundit partinë më tej.

Po ashtu Fuga thotë se në rast se një Sekretar i Përgjithshëm partie vendoset në fund të listës atëhere ai do të hidhërohet në fytyrë dhe do të kërkojë dorëheqjen.

 

STATUSI NGA ARTAN FUGA

Pse duhen listat e mbyllura ose gjoja të hapura për kandidatë për deputet?

Listat e mbyllura me militantë, ose listat gjoja të hapura mbushur me militantë, sigurojnë lidershipin kryesor të një partie, grupin minoritar që kontrollon partinë se e ka të siguruar zgjedhjen si deputet. Nuk ka pikë rëndësie si deputet i shumicës qeverisëse apo si deputet në minorancë – nuk po e quaj opozitar sepse nuk dihet sa është!

Duke u vetëvendosur në krye të listave, ata marrin garancinë që vetëm me votat e militantëve të jenë të zgjedhur. Por nuk është vetëm kjo sociologjia e çështjes. Lidershipi ruan edhe “nderin” e vet politik. Ai ndruhet se mund të marrë më pak vota sesa partia!!! Ku i shkon nderi politik pastaj??? Mund të ndodhi që një i fundit në listë të marrë më shumë vota sesa kryetari i partisë? Me çfarë kapitali morali politik pastaj ky i fundit do të drejtojë partinë pastaj? Prandaj, këto praktika me lista militantësh janë të kërkuara si uji a si ajri nga të gjitha lidershipet e partive. Askush sot nuk kërkon realisht dhe sinqerisht të kundërtën. Bëni provë vendoseni ta zemë një sekretar të përgjithshëm partie në fund të listës të kandidatëve për deputetë dhe do të shihni sesi do të hidhërohet në fytyrë, do t’i trokasë te dera e kryetarit: Zoti kryetar, çfarë qejfmbetje keni nga unë, o burrë? Ose do të japi dorëheqjen e parevokueshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb