TIRANË- Akademiku Artan Fuga nga studioja e News24, në rubrikën “Opinion” ka shprehur edhe njëherë arsyet e tij kundër ligjit të arsimit të lartë, megjithëse ai tashmë është miratuar nga parlamenti. Përballë gazetarëve, Nisida Tufa dhe Bledian Koka, Profesor Fuga ka folur edhe për takimin me Presidentin Bujar Nishani, i cili pritet të dekretojë këtë ligj.

Fuga tha se gjatë takimit, Presidenti Nishani ka qenë tërësisht neutral, madje duke mos dhënë asnjë mimikë që do të jepte një shenjë për vendimin e tij nëse do ta dekretojë këtë ligj të shumëkundërshtuar. Gjithashtu ai ka shprehur dëshirën e tij që presidenti të mos e dekretonte këtë ligj, pasi në këtë mënyrë do të ishte një ‘fitore’ morale.   

“Presidenti detyrim të firmosë ligjin. Në takim individë të ndryshme, akademikë, pedagogë, nuk përfaqësonin institucione. Presidenti krejtësisht neutral. Unë jam angazhuar bashkë me kolegë prej 10 vitesh në Forumin për liritë akademike. Unë isha në një titull krejtësisht individual. Kam vajtur me një mendim shumë subjektiv. Ka nevojë që të testohet njeriu në egot e vetë, të mos mbyllet në enën e vetë. E mendova që është një instancë tjetër, më e lartë e shtetit që do të japë vendimin. Pres me kënaqësi vendimin e tij edhe për të matur saktësinë e mendimeve që ne kemi. Mua më ka bërë përshtypje neutraliteti absolut i Presidentit Nishani, pavarësisht se do doja të thoshte “sa mirë profesor Fuga unë jam dakord me ju”. Asnjë mimikë! Ai donte vetëm të dëgjonte. Nëse Presidenti se dekreton do të ketë pasoja morale. E kam shprehur dhe i qëndroj unë jam kundërshtar i ligjit. Do doja që Presidenti të mos e dekretonte. Nëse Presidenti nuk e dekreton ne do ndodhemi moralisht, etikisht para një situate të tillë. Qindra profesorë nuk janë dakord, mijëra qytetarë, studentë, opozita dhe presidenti nuk janë dakord”, tha Fuga.

Një nga akademikët më të mirë në vend, shpjegoi edhe arsyet se pse ai vetë dhe kolegë të tij nuk kanë dalë në protesta me studentët. Gjithashtu Fuga tha se si qytetar ka pritur më shumë nga opozita në angazhimin e saj në këtë çështje. Ai u shpreh se aksioni politik nuk mund të reduktohet vetëm në sallën e kuvendit.

“Protesta studentore, ne si pedagogë dhe si forum kemi qëndruar larg tyre. Jo se nuk i kuptojmë, jo se nuk kanë mbështetjen tonë. Për të respektuar në mënyrë etike një parim të shenjtë, të mos manipulojmë studentët. Ata na besojnë shumë. Një ditë unë kam thënë, unë i ruaj studentët nga mendimet e mia. Nuk mund të klonosh studentin sipas dijes tënde. Nëse do isha në politikë nuk do kisha guximin të kritikoja opozitën. Por si qytetar do kisha pritur më shumë. Nuk mund të reduktohet aksioni politik universitar në shprehjen e mendimeve në sallën e kuvendit. Jo!”, tha ai.

Në lidhje me qëndrimet kundër draftit edhe mes deputetëve të maxhorancës, Fuga tha se ka pasur nga ata që kanë ndryshuar mendim brenda dy ditësh.

“Ka pasur qëndrime të ndryshme brenda dy ditësh nga deputetë të ndryshëm. Është e faktuar edhe me video. Është vendim politik”, tha Fuga.

Akademiku deklaroi se nuk ka patur asnjë komunikim të drejtpërdrejt me kryeministrin Rama. Gjithashtu u shpreh se modeli i universiteteve në ligj nuk ka të bëjë me universitetet evropiane.

“Asnjë komunikim me kryeministrin, në distancë kam mbajtur këtë qëndrim. Ky ligj ka një frymëzim. Duhet një reformë e madhe në arsim, reformë radikale. Si mund të hiqet politikisht sistemi i Bolonjës. Modeli i universiteteve që atje modelohet nuk ka të bëjë me universitetet evropiane. Reformë radikale për mua është që disiplinat që mësohen në shkollë, të jetë e orientuar në objektin. Të ndërtohen departamente, reklama marketingu ekonomik e politik. Departamentet jo sipas afërsive të disiplinave. Mos të hyjmë për çështjet teknike. Departamentet janë të orientuara mbi bazën e grupeve të disiplinave të përafërta”, tha ai.

Fuga nuk ka pranuar të bëjë komente për deklaratat e kryeministrit, por tha se kjo reformë është revolucionare por nuk do të thotë që është pozitive.

“Evitoj të bëj komente për krerët e shtetit. Qëndrimet e mia janë ku unë replikoj me komisionin, me partitë, me persona të caktuar. Shteti merr vendime, reforma revolucionare, por nuk do të thotë se është pozitive. Revolucionare sepse është thyerje me sistemin e mëparshëm”, u shpreh profesor Artan Fuga.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: