Humbja përballë West Ham ka përforcuar idenë se Jose Mourinho nuk e ka të gjatë në drejtimin e Manchester United. Të njëjtin mendim duket se kanë edhe futbollistët dhe stafi i “djajve të kuq”, të cilët u kthyen nga transferta londineze pa trajnerin portugez, i cili vendosi të qëndronte në kryeqytet. Sipas mediave angleze, gjatë udhëtimit me tren drejt Manchester-it, lojtarët dhe stafi janë dëgjuar të diskutojnë hapur shkarkimin e tij gjatë kësaj jave, edhe pse në mesjavë luhet një sfidë në Ligën e Kampioneve. Mourinho është përplasur shpesh me futbollistët gjatë javëve të fundit, sidomos me Pogba e Rashford, ndërsa humbjet e njëpasnjëshme në Kupë e në kampionat, afrojnë më shumë “gijotinën”, pasi është e qartë se lojtarët nuk e durojnë më. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm që Mourinho nuk do të largohet vetë nga një kontratë nga e cila përfiton 15 milionë paund në vit. Por klubi nuk do të tolerojë më zhgënjime dhe kjo është arsyeja pse lojtarët dhe stafi janë të bindur se tekniku do të shkarkohet brenda javës, ndoshta pa mbërritur ndeshja e Ligës së Kampionëve. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb