Saga e përgjimeve të publikuara nga gazeta gjermane Bild, u pasurua me 10 ‘xhevahirë’ të rinj turpi. Sërishmi Dibra. Dosja 184 dhe zërat e eksituar nga plaçka e 11 shtatorit. Vijnë shumë larg nga koha e krimit zgjedhor, por në kohë për t’u dhënë mundësi shqiptarëve të dëgjojnë se si vepron ‘Rilindja’ në një garë elektorale. Duket sikur jemi përballë sistemit VAR ose e thënë ndryshe Video Assistant Referee, teknologjia që së fundmi përdoret në futboll për të shmangur gabimet e arbitrave. Veçse kjo që po shohim, me kamera super të ngadalta, nuk është një ndeshje futbolli.

Ngjason më shumë me një lojë të fëmijërisë së gjithsecilit prej nesh, kaladibrançe. Ku grabitësit e votës i kanë hipur në kurriz demokracisë, këmbët e së cilës po dridhen, në pamundësi për të mbajtur peshën e autoritarizmit, korrupsionit dhe krimit që shërben si lubrifikant i kësaj makinerie meskine. Të rrasur njëri mbi tjetrin, të kapur fort se mos u bie ‘kalaja’, kryeministri, ministra, policë e gangsterë, nuk po shkatërrojnë vetëm jetën politike, duke prishur rregullat e lojës, por po dëmtojnë në mënyrë të pakthyeshme edhe atë ekonomike.

Nga momenti që nuk iu është dashur besimi i të qeverisurve, kontratën nuk e kanë me zgjedhësit por me blerësit dhe shtypësit e zgjedhjeve, nuk kanë pasur asnjë arsye për të mirëqeverisur dhe për t’u kujdesur ndaj gjësë publike. Prandaj nuk janë interesuar për mungesën e investitorëve të huaj, të mbajtur larg nga korrupsioni marramendës; për mungesën e konkurrencës; për rrezikun që përfaqëson Partneriteti Publik-Privat dhe rrugët e ‘florinjta’; për borxhin publik dhe buxhetin e shtetit që përqendrohet në pak duar. Mirëpo kjo zezonë ekonomike, bashkë me një ndërgjegjësim në rritje të qytetarëve falë përgjimeve, që ekspozojnë grushtin e vogël të njerëzve që kontrollojnë liritë dhe mirëqenien e tyre, duket se po e bën të papërballueshme mbajtjen e mëtejshme të pushtetit.

Madje, në galerinë e pasur të këtyre gjashtë viteve, Ramës po i shtohet edhe një tjetër skandal. Mban autorësinë totale të kryeministrit dhe rëndon në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi xhepat shqiptarëve. Bëhet fjalë për sfidën ekskluzivisht personale të Ramës ndaj televizionit ‘Agon Channel’. Për mbylljen e të cilit një gjykatë ndërkombëtare ka dënuar Shqipërinë të dëmshpërblejë Francesco Becchettin. Shkaku është shpronësimi i investimeve të bëra në vendin tonë ndaj sipërmarrësit italian, pasi ishte pasojë e një ‘fushate politike’, sikurse thotë avokati që ka mbrojtur interesin e paditësit.

Shtypja arbitrare dhe antiligjore që kryeministri bëri ndaj një televizioni opozitar ndaj tij, vjen me një faturë shumë të rëndë për taksapaguesit, 111 milionë euro. Ndoshta, ashtu siç e ka zakon, Rama do të përpiqet t’u rrëshqasë përgjegjësive. Megjithatë, vlera e lartë monetare për ekonominë tonë të vobektë, ka gjasë ta kthejë vendimin e gjykatës ndërkombëtare në një tjetër gozhdë për ‘arkivolin’ politik të ‘Rilindjes’. Sepse kjo damkë, që rrit pakënaqësinë dhe zemëratën e atyre që janë lodhur me ata që luajnë kaladibrançe me fatet e tyre, ka të gjitha tiparet e fundit që po ‘Agon’.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: