Futbollistët shqiptarë janë rikthyer këtë fundjavë të luajnë me ekipet e tyre në Europë. Pas një shkëputje thuaje 10 ditore për shkak të angazhimit me Kombëtaren shqiptare, legjionarët kanë dhuruar një paraqitje pozitive në kampionatet respektive.

Sulmi kuqezi ka qenë në qendër të vëmendjes këtë fundjavë, teksa Bekim Balaj ka arritur më në fund të zhbllokohet dhe të gjejë rrugën e rrjetës në Turqi me Bolusporin, pas një goli me kokë brenda zonës kundërshtare. Ky ishte edhe goli i parë për sulmuesin shqiptar, teksa një tjetër lojtar ka arritur të realizojë këtë të diel.

Bëhet fjalë për bomberin e Kombëtares, Sokol Cikalleshi, i cili ashtu sikurse Balaj luan në kampionatin turk, por në Superligën turke me Koniaspor. Cikalleshi ka realizuar një gol fantastik në radhët e ekipit të tij, teksa u fut bukur brenda zonës, shmangu disa kundërshtarë dhe me një gjuajtje nga ana e djathtë e katërkëndorit, e dërgoi topin në cepin e majtë të portës. Ky ishte goli i dhjetë për sulmuesin shqiptar, krah të cilit luante edhe mesfushori Endri Çekiçi.

Edhe Myrto Uzuni ka qenë protagonist me Granadan në Spanjë, teksa i ardhur nga stoli sulmuesi kuqezi dhuroi një asist për Sanchez, që me gjoks i ul në tokë topin Molinos, i cili e dërgoi në rrjetë. Një krosim mjaft i vlefshëm nga sulmuesi i Kombëtares, i cili arriti të linte edhe shenjën e tij me Shqipërinë në ndeshjet e marsit, ku shënoi edhe golin e vetëm për kuqezinjtë në sfidën ndaj Spanjës.

Përballë Uzunit në këtë sfidë ishte Ivan Balliu, i cili gjithashtu dhuroi një paraqitje pozitive në radhët e Rayo Vallecano-s. Në vijën e sulmit janë aktivizuar edhe Armando Broja, Rey Manaj e Giacomo Vrioni, të cilët kanë pasur gjithashtu minutat e tyre nën këmbë në Angli, Itali e Austri.

Një fundjavë mjaft e mirë ka qenë edhe për portën shqiptare, me Etrit Berishën e Thomas Strakoshën që kanë dhënë siguri për skuadrat e tyre, Torinon e Lazion në Serinë A në Itali.

Treshja e Empolit, Ismajli-Asllani-Bajrami janë aktivizuar këtë fundjavë me ekipin e tyre, edhe pse e kanë nisur nga stoli. Për Berat Gjimshitin, rikthimi tek Atalanta nuk ka qenë mjaft i mbarë, pasi mbrojtësi kuqezi u detyrua të linte lojën në minutën e 62-të për shkak të një problemi në shpatull.

Albi Doka, Ermir Lenjani dhe Elhan Kastrati, në Hungari, Zvicër e Itali kanë pasur gjithashtu minutat e tyre me Kombëtaren.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb