Ministri i Migracionit i Greqisë tha se katër fëmijë kanë vdekur, pasi një gomone që transportonte emigrantë nga brigjet e Turqisë, u fundos të martën pranë ishullit lindor grek, Kios.

Notis Mitarachi tha se 22 persona janë nxjerrë të gjallë dhe se së paku një migrant është ende i zhdukur.

“Me gjithë përpjekjet më të mira të rojës bregdetare, katër fëmijë – të gjithë nga mosha 3 deri në 14 vjeç – konfirmohen të vdekur”, shkroi Mitarachi në një postim në Twitter.

Ai e akuzoi Turqinë për mosrespektim të një marrëveshjeje të vitit 2016 me Bashkimin Evropian.

“Autoritetet turke duhet të bëjnë më shumë për të parandaluar shfrytëzimet nga bandat kriminale. Këto udhëtime nuk duhet të lejohen kurrë të ndodhin”, tha Mitarachi.

Turqia strehon numrin më të madh të refugjatëve në botë – rreth 4 milionë – dhe thotë se BE-ja është e ngadalshme në përmbushjen e premtimeve për mbështetje financiare.

Migrantët dhe refugjatët që përpiqen të arrijnë në vendet e BE-së janë kryesisht të ikur nga luftërat dhe varfëria në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Jugore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: