Që nga dita e diel, Luis Suarez është më shumë sesa thjesht një sulmues i rëndësishëm i Barcelonës. Do të mbetet në librat e artë të historisë si lojtari i 11-të i klubit azulgrana që shënoi një “hat-trick” në portën e Realit të Madridit. Tre golat e tij në “El Clasico” marrin një rëndësi të veçantë sepse në 30 vitet e fundit jo shumë futbollistë kanë arritur ta bëjnë diçka të tillë. Suarez iu shtua grupit të Mesit, Linekerit dhe Romarios. Imazhi i Suarezit teksa goditi portën në golin e katërt të ndeshjes dhe më pas festa e tij do të mbahet mend për vite me radhë.

LISTA- “El Pistolero” me tre golat e tij u fut në listën e futbollistëve që i kanë shënuar 3 gola Realit dhe si për çudi janë 11-të, si për të formuar një formacion: Alkantara (1916), Samitier (1926), Ramon (1930-31), Vantolra (1934-1935), Sezar (51-52), Martinez (1957), Evaristo (58- 59), Lineker (86-87), Romario (93-94) Mesi (dy herë, 2006- 2007 dhe 2013-2014).

Luis Suarez u konfirmua si një nga heronjtë e Barcelonës. Por, asgjë nuk është e rastësishme, sepse ai është shndërruar në liderin e ekipit tani që nuk është Leo Mesi. Jo vetëm goleador, por edhe asistues. Kundër Sevijës shënoi një gol me penallti, kundër Interit asistoi Rafinjën, ndërsa në “El Clasico” bëri gjithçka. Mori vendimin për të mos udhëtuar me kombëtaren e Uruguait në miqësoret e tetorit dhe punoi shumë për të arritur formën optimale. I motivuar në maksimum për lindjen e fëmijës së tretë, Suarez ishte një “mostër” kundër Realit.

Fitoi thuajse çdo duel me tre mbrojtësit e Realit, në aspektin fizik dhe në shpejtësi. Triumfues kudo, në çdo moment. Suarez gjithashtu përmbushi të gjitha pritshmëritë që të tjerët kishin për të përpara ndeshjes. Reali është një nga viktimat e tij të preferuara dhe i ka shënuar në çdo sezon. Gjashtë golat e mëparshëm që u kishte shënuar bashkohen me këtë “hat trick” dhe e bëjnë Suarezin një hero të barcenolizmit, e bëjnë hero. Gjatë natës, uruguaiani që “vrau” Realin me “pistoletën” e tij festoi me Leo Mesin, shokun më të mirë në skuadër.

Në momentin kur mungonte argjentinasi dhe te Barcelona filluan dyshimet, Suarez u shfaq dhe tregoi karakter për të udhëhequr ekipin. U tërhoq në mesfushë për të ndihmuar shokët e skuadrës, ashtu siç bën Mesi. Suarez tregoi se mund të jetë lider. “El Clasico” e tij pati shumë hakmarrje gjithashtu. Mbi të gjitha, për ata që kishin ngritur dyshime rreth Suarezit, për moshën e tij dhe për rendimentin. Me atë ndeshje tregoi se është një nga sulmuesit më të fortë në elitën e futbollit ndërkombëtar/PanoramaSport

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb