Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti Tritan Shehu u shpreh se në PD nuk ka një luftë dhe se partia është në proces rithemelimi. I ftuar në “Frontline” me Marsela Karapançon, ai tha se tashmë të gjitha funksionet e Kryesisë i ka marrë Komisioni i Rithemelimit.

Lidhur me incidentin e sotëm në seli, Shehu tha se askush nuk mund të mbyllë dyert e selisë së PD-së dhe se ai ishte provokim duke bërë me dije se shumë shpejt do të jetë edhe mbledhja tjetër e Komisionit.

“Unë nuk shikoj luftë në PD. PD është në një proces ringritje, rithemelimi që pas 25 prillit kishte rënë në një gjendje të pashpresë. Ishin Foltoret e Berishës që ngjallën interes edhe tek opinioni publik në tërësi. Të shtunën u bë referendumi dhe çdokush mund të shkojë të verifikojë çdo gjë. Pra, ka marrë fund çdo gjë. Situata është zgjidhur. Si është shkarkuar Berisha nga 5004 veta të ulur në 1900 karrige? Nga Gjirokastra që ka 351 delegatë, morën pjesë vetëm 51 veta. Ky raport ka qenë edhe për qarqet e tjera. Ai ishte një anti-Kuvend përçarës duke kërkuar që të dominojë një pakicë mbi shumicën.  Tani në Mars do të fillojë riorganizimi i partisë.

Çdo gjë kërkon kohën e vet. PD po përgatitet për luftën e vërtetë opozitare ndaj regjimit. Ata që vendosën bravat është një degradim. Pamja sot në seli nuk është më e trupshme se vendosja e bravës.  Nuk është Basha ai që vendos akuzat mbi personat, por prokuroria. Askush nuk duhet të guxojë të mbyllë dyert e PD-së. Selia e PD nuk është pronë e askujt, është pronë e anëtarëve të PD, votuesve të saj. Askush nuk ka të drejtë të ndërrojë brava natën. Këto janë provokacione që njerëzit mund të veprojnë në atë mënyrë. Lufta e fortë opozitare ka nevojë për të gjithë prandaj u krijuan fraksionet. Ka hapsirë për të gjithë, edhe për pakicën në PD. Nuk ka kryetar të përjetshëm. Basha e mori me votë dhe u rrëzua me votë. Jemi në akte civile demokratike me të gjithë duke vënë në dijeni të gjithë yrtarisht për referenduamin dhe presim që Basha të bëjë atë që çdokush bën kur nuk është më kryetar, jep dorëheqjen. Kjo është demokracia.  Kryesia e PD nuk ekziston. Çdo funksion të tij e ka marrë Komisioni i Rithemelimit. Shumë shpejt do të jetë mbledhja tjetër e Komisionit të Rithemelimit.”- tha ai

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: