BERLIN

Fuqitë e mëdha evropiane kanë paralajmëruar se do të aktivizojnë mekanizmin e mosmarrëveshjeve të paktit bërthamor të Iranit për shkak të shkeljeve të vazhdueshme të paktit nga Teherani.

Në një deklaratë të përbashkët, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca kritikuan ashpër Iranin për pakësimin e mëtejshëm të angazhimeve të saj nën marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, e njohur po ashtu si Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA), pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga evropianët.

“Prandaj, ne kemi mbetur pa zgjidhje, duke patur parasysh veprimet e Iranit, por për të regjistruar sot shqetësimet tona se Irani nuk po i përmbush angazhimet e tij nën JCPOA-në, këtë çështje ia referojmë Komisionit të Përbashkët nën Mekanizmin e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, siç përcaktohet në paragrafin 36 të JCPOA-së”, thanë ata.

Të tre vendet e BE-së gjatë kohë kanë ngurruar të nxisin mekanizmin zyrtar të mosmarrëveshjeve, nga frika se kjo mund të çojë në një rënie të plotë të marrëveshjes historike.

Irani filloi të pakësojë angazhimet e saj nën marrëveshjen bërthamore në maj të vitit të kaluar, në shenjë hakmarrjeje për tërheqjen e njëanshme të SHBA-ve nga marrëveshja midis Teheranit dhe 5 anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë BE-në.

Më 5 janar, Irani njoftoi se po tërhiqet plotësisht nga marrëveshja në vazhdën e vrasjes në një sulm ajror amerikan të kryekomandantit iranian, Qasem Soleimani.

Pavarësisht veprimit të sotëm, fuqitë evropiane riafirmuan dëshirën e tyre për të ruajtur marrëveshjen bërthamore.

“Ne e bëjmë këtë në mirëbesim me objektivin gjithëpërfshirës të ruajtjes së JCPOA-së dhe me shpresën e sinqertë për të gjetur një mënyrë për të zgjidhur bllokimin përmes dialogut konstruktiv diplomatik”, thanë tre vendet në deklaratën e përbashkët.

Tre fuqitë evropiane po ashtu ishin të menjëhershëm për të veçuar qëndrimin e tyre nga politika e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për “presionin maksimal” ndaj Teheranit.

“Tre vendet tona nuk i bashkohen fushatës për të zbatuar presionin maksimal kundër Iranit. Shpresa jonë është që ta kthejmë Iranin në përputhje të plotë me angazhimin e saj nën JCPOA-në”, theksuan ata.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb