Policia e Durrësit jep informacion zyrtar për kapjen e një sasie parash, paund në një furgon mallrash që vinte nga Anglia. Janë sekuestruar 123.460 paund dhe 280 stërlina.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe seksionin për hetimin e krimit ekonomik e financiar në DVP Durrës, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu edhe në hyrje, në portin e Durrësit.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut të bërë nga ana e shërbimeve të Policisë dhe atyre doganore, në hyrje, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, një furgon mallrash që vinte nga Anglia, me drejtues shtetasin O. S., 21 vjeç, banues në Hamallë.

Gjatë kontrollit, në pjesën e prapakolpit të furgonit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 12 pako me para.

Nga këqyrjet e kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, rezultoi se në pakot e sekuestruara në cilësinë e provës materiale kishte 123.460 paund dhe 280 stërlina.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit O. S., për veprat penale” Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe ” Kontrabanda me mallra të tjerë dhe materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Ndërkohë, nga strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të implikuar në këtë vepër penale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb