Pas furnizimit me tanke nga Gjermania në Ukrainë, Rusia ka deklaruar se kjo është një dëshmi “direkte dhe në rritje” të tensioneve.

Deklarata vjen pasi Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë thënë se do të armatosin Ukrainën me dhjetëra tanke të rënda në luftën e saj kundër forcave ruse.

“Ka deklarata të vazhdueshme nga kryeqytetet evropiane dhe Uashingtoni se dërgimi i sistemeve të ndryshme të armëve në Ukrainë, përfshirë tanket, në asnjë mënyrë nuk nënkupton përfshirjen e këtyre vendeve apo aleancën në armiqësitë në Ukrainë. Ne nuk pajtohemi kategorikisht me këtë dhe në Moskë, gjithçka që po bëjnë aleanca dhe kryeqytetet që përmenda, shihet si përfshirje e drejtpërdrejtë në konflikt. Ne shohim që kjo po rritet”, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ukraina ka kërkuar ndihmë për armatime në mënyrë që të vetë mbrohet dhe njëkohësisht të sulmojë trupat ruse.

Rusia, e cili nisi ofensivën e saj ndaj Ukrainës më 24 shkurt të vitit të kaluar, e ka portretizuar konfliktin si një konfrontim me NATO-n.

Sergej Karaganov, një ish-këshilltar i presidentit rus Vladimir Putin, tha se dërgesat e armëve të NATO-s mund të rezultojnë në hakmarrje të mundshme ushtarake kundër atyre kombeve që i furnizojnë ato.

“Duke dërguar tanke, vendet e NATO-s po përfshihen më hapur në luftë dhe kjo i bën ata objektiva të mundshëm,” tha ai.

Po ashtu ai ka fajësuar NATO-n për fillimin e luftës në Ukrainë.

“Nuk është saktësisht një luftë ruso-ukrainase, është një luftë ruso-perëndimore. Ukrainasit përdoren si ushqim për top dhe udhëheqja është në thelb marioneta. Perëndimi po përparon dhe po përgatitet për të sulmuar Rusinë dhe Rusia vendosi të godasë hapur e para. Por kanë qenë 25 vjet të zgjerimit të NATO-s. Përfundimisht, Rusia do të shkatërrojë ushtrinë e Ukrainës dhe vendi do të çmilitarizohet plotësisht”, ka deklaruar Karaganov.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb