Kremlini ka deklaruar se Ukraina do të përballet me pasoja të rënda, nëse vendet e treta do ta furnizojnë atë me tanke.

Kjo deklaratë vjen mes presionit në rritje ndaj Gjermanisë për të dërguar armatim të avancuar në Kiev.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, paralajmëroi se debati i vazhdueshëm për dërgimin e tankeve Leopard 2 në Ukrainë nënkupton se “nervozizmi midis anëtarëve të aleancës po rritet vazhdimisht”.

“Të gjitha vendet që drejtpërdrejt ose indirekt marrin pjesë në pompimin e Ukrainës me armë dhe në ngritjen e nivelit të tyre teknologjik, janë të gjitha përgjegjës për këtë. Populli ukrainas do të duhet të paguajë për këtë”, tha Peskov ditën e sotme.

Berlini ka qenë nën kritika të shumta për dështimin për të arritur një marrëveshje me aleatët e tij perëndimorë, për të dërguar tanke Leopard 2 në Ukrainë.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha dje se Gjermania nuk do ta ndalojë Poloninë të dërgojë tanke luftarake Leopard 2 në Ukrainë nëse kërkohet.

Nga ana tjetër, Rusia paralajmëroi më parë për përshkallëzim të mëtejshëm nëse dërgohen më shumë armë në Ukrainë që do të lejojnë sulme në territorin rus, duke thënë se kjo do të “do çojë konfliktin në një nivel të ri”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb