Nga: ERJOLA JATA*

TIRANE- Në pikun e sezonit veror kryesisht zonat bregdetare hasen me shkëputjen e herëpasëhershme të energjisë. Sipas Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kjo gjë vjen nga konsumi i lartë i energjisë në këto zona e për këtë OSHEE ka marrë masa duke ofruar ekipe shërbimi për të garantuar furnizim normal. Me anë të një urdhëri të siguruar nga News 24 ky operator ka ngritur shtabet e emergjencës në të gjithë Shqipërinë.

Sipas këtij urdhëri Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për të garantuar një furnizim normal me energji elektrike të konsumatorëve ka urdhëruar të gjitha drejtoritë të zonave bregdetare turistike të kalojnë në gatishmëri numër 1 me organizime shërbimesh të mirëmbajtjes dhe avarisë në sistem 24 orësh.

Gjithashtu mësohet se të gjithë nënstacionet e vijës bregdetare nga Velipoja deri në Sarandë kanë kaluar me sistem personeli me dy persona në turn duke rritur kështu gadishmërinë e operatorit ndaj qytetarëve. Në këtë plan të gadishmërisë për furnizimin me energji elektrike janë bërë të ditura edhe masat e marra për likujdimin e avarive duke vendosur grupe të gatshme pranë fibrave të rëndësishme në vijën bregdetare Vlorë-Sarandë apo duke vendosur personel përforcues pranë nënstacioneve, rrjetit dhe kabinave që furnizojnë qëndrat e vijës bregdetare.

Edhe operatori i sistemit të transmetimit ka marrë masa për të mos penguar furnizimin me energji për zonat turistike.Sipas drejtorit të planifikim-zhvillimit në OST Ylli Demiraj të gjitha remontet do të kryhen në orët e para të mëngjesit.

“Në periudhën e verës popullsia është më e ndjeshme ndaj mungesës së energjisë elektrike sidomos në zonat bregdetare,por puna jonë ka qënë gjithëvjetore.Ne zgjedhim për të punuar në orare të cilat ndikojnë më pak në mungesën e energjisë elektrike në popullsi.Konkretisht nqs flasim për zonën e jugut ku ne kemi kërkuar disa stakime,koha e punës është nga ora 05 00 e mëngjesit deri në orën 10 00.Konkretisht stakimi i një fideri që del nga nënstacioni i Himarës që furnizon jo zonë të plazhit por zonë të fshatrave përreth Himarës”,- tha Ylli Demiraj.

Nëse do të hasen problematika jo vetëm në zonat bregdetare por edhe në të gjithë vëndin OSHEE ka publikuar hartën me numrat e kontaktit për çdo mungesë të energjisë elektrike apo defekt që qytetarët do të kenë.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: