Pas deklaratave të përsëritura të kryeministrit Edi Rama për lirimin e plazheve publike të zaptuara, aksioni vijon. Publiku çdo dite ka më shumë hapësirë për të shijuar ditët e nxehta të verës në breg të detit.

Për kreun e qeverisë, Edi Rama, kushdo që ka zaptuar hapësirat në vijën bregdetare që është në dispozicion për publikun, do përballet me reagimin e policisë. Në postimin e së martës në rrjetet sociale, Rama kujton edhe nismën e qeverisë, që do kalojë për diskutim në Parlament në vjeshtë, sipas së cilës administrimi i plazheve, që deri më tani iu takonte bashkive, do të jetë kompetencë e qeverisë qendrore.

“Zaptuesit e plazheve po përballen kudo me Policinë e Shtetit, por Ligji i Ri për vijën bregdetare, do të sigurojë që ata të mos guxojnë ta sfidojnë më qytetarin dhe shtetin”, shkruan Rama në FB.


I koduar me emrin “Plazh i lirë”, operacioni këtë të martë është ndalur në bregdetin e Shëngjinit dhe Velipojës. Forcat e policisë liruan dhe vunë në dispozicion të pushuesve rreth 4500 m² plazh, pronë publike të zaptuar në mënyrë të kundërligjshme nga 6 subjekte.

Sipas të dhënave, mësohet se u sekuestruan rreth 450 shezlongë dhe 250 çadra, ndërsa u proceduan penalisht 6 shtetas për “Fshehje të të ardhurave” dhe “Mospagim te taksave dhe tatimeve”, nga të cilët 4 në Shëngjin dhe 2 në Velipojë, mes tyre Drejtori i Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Lezhë.

Kryeministri Rama ka paralajmëruar se plazhet publike janë një pasuri kombëtare që i takon popullit dhe pushimet u takojnë njerëzve, jo abuzuesve të çdo kategorie; nga tregtarët që nuk lëshojnë kuponat, tek harbutët që zaptojnë plazhet dhe deri tek zyrtarucë shtetërorë e pushtetarë vendorë, të cilët në vend të detyrës ndaj vendit dhe pushuesve, u bëjnë qoka dëmtuesve e zhurmuesve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb