Dy kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit, Alfred Rushaj dhe Jorida Tabaku, të ftuara në emisionin “Real Story”, në “News 24”, komentuan fushatën e deritanishme të PD.

Tabaku theksoi se PD ka ardhur me oferta dhe zgjidhje konkrete për shqiptarët, ndërsa shtoi, se nga karhu tjetër, qeveria deri më tani duket sikur e ka pranuar humbjen dhe nuk ka prezantuar asnjë program.

“Në gjashtë muajt e fundit, që kur kemi prezantuar programin jemi përpjekur të bëjmë një ofertë për njerëzit. Për secilin për sektorëve, ne kemi dhënë oferta konkrete. Kemi analizuar dhe buxhetet që vijnë me këtë ofertë.

Ne kemi identifikuar problemet që ka pandemia dhe i jemi përgjigjur këtyre problematikave. Unë besoj se kemi dhënë një program që nuk është elektoral, me angazhime konkrete për 100 ditët e para. Fakti që qeveria vjen pa një ofertë sot, plan konkret e bën që ato të mos përballen. Në këtë fushatë nuk kam parë asnjë program nga qeveria, ka treguar që janë gati të ikin”, u shpreh Tabaku.

Alfred Rushaj, tha se shqiptarët janë lodhur nga qeverisja e këtyre tetë viteve dhe e gjitha ajo që duan sipas tij, është një Shqipëri normale, e cila do të ofrohet përmes Lulzim Bashës.

“Shqiptarët duhet ta votojnë PD për normalitetin. Nëse unë do të isha pjesë e qytetarit, do të shikoja në këtë kakofoni gjërash kush është njeriu normal, kush është ai që unë jam.

Ajo që Basha ka treguar këto kohë është se si do të jemi ne në qeverisje, ne do të jemi normal. Kur je njeri normal mendoj që një lider normal, e kufizon pushtetin e vet, konsultohet me punëtorët, kështu është në çdo sektor të jetës. Arma jonë më e fortë është të qenit normal. Unë besoj që të thuash diku në BE që unë jam normal, ai thotë ku është lajmi këtu.

Për fat të keq këtu tek ne bën lajm. Por mendoj që Basha do të jetë një lider normal e qeverisje normale dhe do të garantojë gjërat që thotë. Kur ka dhënë një ofertë politike më parë ai ka thënë këto janë angazhimet e mia politike. Pas 8 vitesh shqiptarët duan këtë garanci, tek politika ka rënë besimi, por duhet kjo garanci. Ai thotë nëse nuk plotësoj këto, nuk garoj një mandat të dytë.

Unë punën në terren s’e kam pasur kaq intensive. Është e jashtëzakonshme të shkosh tek një familje dhe të thotë atë legalizimin mër burrë, kam merak se më lenë në rrugë të madhe. Të mbash var 100 mijë familje në Shqipëri, t’i thuash do rregullohet dhe më pas t’ia prishësh shtëpinë, të bësh politikë me kokën e tjetrit, është e pamoralshme”, tha Rushaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb