FUSHË KRUJË-Një shpërthim me tritol ka ndodhur në orët e vona të së mërkurës në lagjen ‘Punëtori’ të qytetit të Fushë-Krujës. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se tritoli është vendosur pranë lokalit ‘7 yjet’ në të cilin ishte vendosur një billbord i kandidatit të Partisë Demokratike Hamdi Pasha.

Nga shpërthimi i fuqishëm fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Mësohet se nga shpërthimi janë thyer xhamat e lokalit si dhe është prishur gjeneratori. Gjithashtu është dëmtuar edhe një automjet me targa KR8533A në pronësi të Albert Hidrollarit, i cili ishte i parkuar pranë lokalit, si dhe billbordi i kandidatit të Partisë Demokratike.

Lokali ku ndodhi shpërthimi është në pronësi të shtetasit Kurt Tira 45 vjeç, nga Borizana, i cili është njëkohësisht nënkryetar i komunës Thumanë, ndërsa është aktivizuar me fushatën elektorale të Partisë Demokratike në qytetin e Fushë-Krujës.

Ende nuk dihen shkaqet dhe motivet e ngjarjes, por dëshmitarë nga vendngjarja thonë se disa minuta pas shpërthimit kanë parë një mjet të bardhë të largohet me shpejtësi. Forca policie në vendngjarje kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave.

POLICIA SHOQËRON 10 PERSONA
Policia e Fushë-Krujës ka shqëruar sot 10 persona, të cilët dyshohen se fshihen pas shpërthimit të fuqishëm me eksploziv që ndodhi mbrëmjen e djeshme në lagjen “Punëtori”. Sakaq, nuk dihen ende motivet që fshihen pas kësaj ngjarje.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: