FUSHË-KRUJË- Një sasi tritoli i është vendosur një automjeti tip “BMW X5” me targë AA 858 IS në Fushë-Krujë, ndërsa fatmirësisht është konstatuar nga qytetarët dhe pronari përpara se të shpërthente.

Mësohet se automjeti ka qenë i parkuar pranë tregut në Fushë-Krujë, në lagjen “Kastriot”, kur në rrotën e parë është vënë re një material i dyshimtë. Menjëherë policia ka shkuar në vendin e ngjarjes duke rrethuar zonën dhe bllokuar qarkullimin dhe më pas janë njoftuar forcat xheniere, të cilat kanë kryer çaktivizimin e eksplozivit. Sipas bluve, ka qenë një sasi prej rreth 200 gram tritol e vendosur në rrotën e parë, ndërsa automjeti rezulton të jetë në pronësi të shtetasit Durim Bani, një person me precedentë të mëparshëm penalë.

Ngjarja ka shkaktuar panik tek qytetarët dhe bizneset pranë vendit ku ndodhej makina janë mbyllur. Fatmirësisht kjo ngjarje nuk shkaktoi dëme. Fushë-Krujë është një nga qytetet më të prekura nga shpërthimet me tritol. Dhjetëra atentate me eksploziv kanë ndodhur si ndaj objekteve ashtu edhe ndaj personave, drejtuesve dhe biznesmenëve të kësaj zone.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb