Prestige ka regjistruar fitoren e radhës në Sunday League Albania, teksa dje ka mposhtur me rezultatin tenistik 6-0 skuadrën Albamer në takimin e javës së pestë të Grupit A

Një ecuri perfekte për Prestige që vijon marshimin me pikë të plota në kampionatin “9×9”. Nuza dhe Limani me nga një dopietë secili, si dhe Rapo e Hysenbelliu, ishin protagonistët e golave në ndeshjen e djeshme që u zhvillua në kompleksin “Skënder Halili”. Një takim i dominuar nga Prestige, që tregoi një rendiment të lartë në sulm, si dhe realizoi një fazë shumë të mirë mbrojtëse, pa rrezikuar thuajse asgjë.

NDESHJA – Minutat e para ishin të qeta, edhe pse Prestige e mori që në fillim kontrollin duke zhvendosur lojën në gjysmëfushën kundërshtare. Në të 8-ën, pas një harkimi nga këndroja të Shimës, Nuza u çmarkua bukur në zonë dhe me kokë e dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar në avantazh Prestige.

Më tej provuan Shima me një goditje nga distanca, të cilën e grushtoi pa shumë problem portieri i Albamer, Prendi.

Ndërsa Branica kishte një rast të artë për golin e dytë, por u koordinua keq duke mos mundur që të shfrytëzonte një top të bukur të futur në zonë nga Limani.

Gjithsesi, në të 21-ën, Prestige do të gjente edhe golin e dytë, që erdhi pas një aksioni model me shumë pasime. Në fund Hysenbelliu vertikalizoi mjaft mirë për Limanin, me këtë të fundit që finalizoi saktë për t’i dërguar shifrat në 2-0, rezultat me të cilin u mbyll edhe pjesa e parë e takimit.

Fraksioni i dytë startoi menjëherë me gol, teksa në të 33-ën, Limani, pasi mori një asist nga Branica, gjuajti fort me të djathtën brenda zonës duke mos i dhënë asnjë shans portierit për ta thelluar rezultatin në 3-0 Në të 37-ën Rapo shënoi të katërtin, duke shfrytëzuar më së miri një tjetër asist të Hysenbelliut.

Nuza me një “predhë” nga distanca pas një koordinimi spektakolar stampoi topin në rrjetë duke e realizuar golin e pestë për Prestige në të 47-ën.

Ndërsa në minutën e fundit, Hysenbelliu vulosi fitoren 6-0, duke finalizuar mjaft mirë pas asisti të bukur të marrë nga Gjikola. Gol të cilin Fatmir Hysenbelliu e festoi me maskë, duke qenë se jemi në prag “Halloween”-i.

Pr 13
Pr 13

Më këtë sukses, Prestige shkon në kuotën e 15 pikëve, duke regjistruar një bilanc tepër pozitiv me 19 gola të shënuar dhe vetëm 4 të pësuar gjatë këtyre pesë javëve të para të kampionatit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb