Prestige ka regjistruar suksesin e radhës në Sunday League Albania, teksa mbrëmjen e djeshme ka triumfuar me rezultatin 4-2 kundër skuadrës North Gate, takim i vlefshëm për javën e gjashtë të Grupit A.

Ky ishte suksesi i gjashtë në kampionat për Prestige, që vijon marshimin me pikë të plota në renditje.

Protagonistët e golave të Prestige në sfidën e mbrëmshme të zhvilluar në kompleksin “Tirana United” ishin Ademi, Limani dhe Xhika me një dopietë, ndërsa për North Gate ngushtuan përkohësisht fillimisht Felipe Mauro e më pas Kapedani.

NDESHJA – Prestige në këtë takim kishte dy mungesa të rëndësishme, Fatmir Hysenbelliun dhe Arian Shetën, ndërsa trajneri Eldiano Topi e nisi lojën me Begajn në portë, për të vijuar me Nuzën, Hyskon, Rapon dhe Limanin në mbrojtje.

Më pas në mesfushë startuan Branica, Ademi dhe kapiteni Shima e në sulm Vasha. Që në minutat e para Prestige e filloi me ritëm, duke u shpërblyer në të 2-ën me golin e avantazhit.

Pas një harkimi nga këndorja Ademi përfiton nga një rrëmujë në zonë për ta dërguar topin në rrjetë.

Dominimi i Prestige është absolut, ndërsa në të 7-ën, Limani realizon edhe golin e dytë, teksa lëviz bukur në hyrje të zonës dhe me një të majtë e çon topin atje ku nuk mund ta mbërrijë portieri.

Pjesa e parë luhet thuajse me një portë, me Prestige që sulmon në mënyrë konstante.

Provojnë me radhë Shima, Vasha, Rapo dhe Branica, por pa mundur të gjenin golin e tretë.

Kështu, fraksioni i parë i lojës mbyllet me epërsinë e dyfishtë të Prestige. Në të 44- ën skuadra North Gate rihap sfidën, teksa braziliani Felipe Mauro përfiton nga një gafë në mbrojtjen e Prestige dhe i ngushton shifrat në 2- 1.

Por tre minuta më vonë, Xhika, i sapofutur në lojë, gjuan bukur me kokë duke e kaluar topin mbi portierin kundërshtar, për t’i çuar shifrat në 3-1.

North Gate kundërpërgjigjet në të 50-ën, me Kapedanin që përfiton nga një grushtim i pasigurt i portierit Kroj, për të realizuar me kokë golin e dytë, duke e rihapur sërish sfidën.

Pr 1
Pr 1

Prestige hidhet në sulm duke kërkuar golin e qetësisë, të cilit i afrohet shumë Branica, teksa fillimisht ndalet nga portieri e më pas nga traversa.

Por katër minuta nga fundi, Xhika plotëson dopietën personale, teksa finalizon saktë në limitet e zonës dhe vulos fitoren 4-2 për Prestige.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: