Humbja 0-1 ndaj Liverpool la një shije të hidhur tek kampionët francezë të PSG, kjo jo vetëm për rezultatin e ndeshjes që komplikon situatën drejt objektivit kualifikim, por më shumë për mënyrën e lojës, pasi ata ishin dominues në çdo aspekt ndaj “Redsave”. Zhgënjim që ndjehet edhe tek tekniku Luis Enrique pas ndeshjes, megjithatë spanjolli mundohet ta shohë gotën gjysëm plotë, pavarësisht humbjes:
“Unë jam shumë krenar për skuadrën time, por ndonjëherë futbolli është jo i drejtë. Nuk mendoj se është e vështirë të analizojmë ndeshjen sot. Ishim dukshëm më superiorë se sa Liverpool. Megjithatë ky ishte vetëm akti i parë, do të provojmë të kualifikohemi në ndeshjen e kthimit, sidomos nëse përsërisim performancën e zhvilluar në ndeshjen e sotme.”
Ndërkohë në krahun tjetër Arne Slot i çliruar pas një takimi, kur ndoshta për herë të parë e pa skuadrën e tij kaq shumë në vështirësi, pranon se skuadra e tij ishte me fat në këtë mbrëmje:
“Ishte një rezultat tepër pozitiv, por na duhet të pranojmë që ndjem se sa shumë kualitet ka skuadra e PSG. Nuk u suprizova nga loja e tyre, ata e kanë treguar edhe më parë se janë një skuadër me kualitet. Luis Enrique ka krijuar një skuadër të pabesueshme. Duhet të jemi të kujdesshëm në sfidën e kthimit.”
Ndërkohë tabloidët britanikë, nuk mund të mos nënvizonin performancën e jashtëzakonshme të portierit Allison Becker, me brazilianin që ishte vendimtar falë pritjeve të tij duke patur një rol kyç në suksesin e Redsave
“Daily Telegraph” shkruan: Allison i mrekullueshëm, ndërsa “Star Sport” komplimentin autorin e golit Harvey Elliot që sapo hyri në fushë shënoi golin e fitores, duke u hapur ditën esotme me titullin: Harv është pikërisht aty.