Një ide e hedhur shumë kohë më parë po diskutohet sërish dhe bëhet fjalë për krijimin e Ligës së Futbollit mes Shqipërisë dhe Kosovë. Presidenti i FSHF, Armand Duka ka thënë se krijimi i kësaj lige është i mundur, ndërsa ka folur edhe si do të mund të funksiononte kjo ligë.

“E para nuk mund të parashikoj nëse Shqipëria dhe Kosova do të jenë shtete të ndara apo do të jenë bashkë. Unë uroj që të jenë bashkë. Nëse Kosova dhe Shqipëria do të jenë dy shtete, do të kenë dy kampionate me vete, mirëpo kjo nuk e pengon as Kosovën dhe Shqipërinë që të bëjnë një kampionat të tretë apo një organizim që të përfaqësohet nga ekipe të këtyre dy vendeve”, deklaroi Duka.

Për realizimin e këtij organizimi nevojitet bashkëpunimi mes dy federatave  dhe për këtë çështje është folur edhe me palën kosovare.

“Realisht kam filluar ta diskutoj me presidentin e FFK-së dhe ndoshta ka ardhur koha që mund ta bëjmë. Duhet të bëjmë një lloj lige, që me një kompromis mes dy federatave dhe me një kompromis me UEFA-n, të prodhojë një përfaqësues në Evropë (duke hequr pak nga përfaqësimi i Shqipërisë në Evropë dhe pak nga ai i Kosovës) në mënyrë që fituesi i kësaj kupe të shkojë në kualifikueset evropiane, që i sjell edhe përfitime ekonomike dhe e bën interesante. Pa pasur diçka që e bën interesante garën, nuk na duhet. Besoj se do ta realizojmë. Janë projekte që nuk bëhen në një ditë, por kemi nisur ta diskutojmë”, u shpreh kreu i FSHF-së Armand Duka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb