Në përfundim të mbajtjes së asamblesë së përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës, Federata Shqiptare e Futbollit publikoi edhe lajmin ku thuhej se gjatë zhvillimit të asamblesë, në rend dite ishte edhe votimi i kryetarit të shoqatës.

Mbledhja u mbajt dhe kryetari i zgjedhur me votim ishte Mikel Furxhi, i cili përballë nuk kishte asnjë kandidat, pasi sipas shoqatës, Indrit Skora nuk kishte marrë tri propozime nga anëtarët e shoqatës dhe nuk lejohej që të kandidonte përballë kryetarit aktual Furxhi në këto zgjedhje.

“Gjatë procesit zgjedhor, për Mikel Furxhin u shprehën 22 propozime të vlefshme. Propozime pati edhe për kandidatin jozyrtar z. Indrit Skora, i cili mori vetëm një propozim të vlefshëm, duke mos përmbushur në këtë mënyrë kriteret e statutit, që për kandidim kërkon propozimin nga tre anëtarë në mënyrë që të zyrtarizohesh si kandidat”, – thuhet në njoftimin e federatës.

Por nga ana tjetër, është Indrit Skora që reagon për “Panorama Sport”, duke e quajtur të gjithën si një parregullsi dhe frikë nga humbja për shoqatën.

REAGIMI I INDRIT SKORËS

Pasi nuk u pranua si kandidat duke mos marrë asnjë përgjigje, Indrit Skora thotë për lajmin e publikuar nga FSHF-ja se është një gënjeshtër, pasi ai ka marrë tri propozime, dhe i ka të faktuara me dokumente, por kryetari i shoqatës dhe federata, sipas tij, kishin frikë nga kandidimi i tij.

Sipas Skorës, Shoqata e Futbollit Durrësi i Ri, Shoqata Shqiponja e Agimit dhe Shoqata Sportive Adriatiku janë ato që e kanë propozuar për kandidat.

“Të gjithë ata të shoqatës nuk mund të më bëjnë për budalla. Po ju tregoj të gjitha dokumentet e propozimeve, që ua u kam marrë shoqatave që më kanë propozuar, i ke me foto, që të gjitha i janë dërguar Mikel Furxhiut, me email, me postë, në tel dhe nuk ka kthyer përgjigje. Kjo mund të vërtetohet lehtësisht, por të veprosh kështu, duke bërë zgjedhje pa kandidat.

Gjithashtu kam komunikuar edhe me Arbër Furxhiun, pasi më thanë që ai merret me këtë, pasi shoqata ia ka deleguar këtë të drejtë, sepse kanë lidhje me njëri-tjetrin, janë kushërinj.

Po jua them edhe njëherë, mua nuk më regjistruan kastile si kandidat, pasi e kishin humbjen e sigurt, kanë pasur frikë nga kandidimi im dhe do ta ndjek në rrugë ligjore këtë punë”, – përfundon prononcimin e tij Indrit Skora.

Skora

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb