A e di njeri se ç’mendim ka Ergys Kaçe për Partizanin? Me siguri jo… Ai nuk flet kurrë për skuadrën ku ka disa muaj që luan. Që kur firmosi kontratën, nuk ka thënë një fjalë se përse e zgjodhi këtë klub, çfarë ndien për këtë fanellë, çfarë objektivash ka me 16 herë kampionët e Shqipërisë dhe çfarë përgjegjësish ka ai për situatën e vështirë që po kalon Partizani.

Thjesht injoron gjithçka. Që të kuptohemi qartë, ai është investimi më i madh i Partizanit gjatë merkatos së verës. Një lojtar i rëndësishëm, me cilësi të shkëlqyera, por që nuk ia ndien fare për opinionin publik dhe për tifozët e Partizanit, që edhe pse një pjesë të madhe të ndeshjeve i luajnë jashtë kryeqytetit, ata janë në çdo stadium: në diell dhe në shi. Natyrisht, nuk i ka kërkuar askush Kaçes të bëjë oratorin publikisht dhe as të mbajë fjalime brilante, por futbollistët e rëndësishëm marrin përgjegjësi. Shikoni Seferin, Gurishtën, Aleksin, Taipin dhe Meksin në klubet e tjera…

Ndërsa Ergys Kaçe as nuk do t’ia dijë. Nëse pyet në klub se përse mesfushori as nuk u prezantua kur erdhi dhe as nuk ka folur ndonjëherë për mediat, edhe vetë zyrtarët e klubit ndihen në vështirësi. Përgjigjja është: “Nuk do”. Imagjinoni për një moment që pasi shkoi Ronaldo te Mançester Junajtid apo Mesi te PSG-ja dhe klubet t’u thonë tifozëve se yjet e tyre nuk flasin se “nuk duan”.

Ergys Kaçe nuk është një lojtar i zakonshëm dhe as një 18-vjeçar pa përvojë, por është një futbollist që u afrua te Partizani të bëjë diferencën, të marrë përgjegjësi në fushën e lojës dhe të ndihmojë skuadrën që të arrijë objektivat. Ai nuk është përgjegjësi kryesor për situatën në të cilën ndodhet skuadra, por ama ka detyrimin moral (nëse nuk e ka në kontratë) që duhet të ketë një komunikim herë pas here edhe me opinionin publik. Është shumë e thjeshtë të marrësh rrogën në një klub dhe të shmangësh çdo përgjegjësi apo të injorosh tifozët duke mos folur asnjë fjalë. Disa zëra thonë se “nuk është edhe aq mirë me gjuhën shqipe”, por kjo nuk pi ujë…

Po, sepse Kaçe ka dalë më parë në konferenca për shtyp kur ishte futbollist i Kombëtares. Fundja, ai nuk gjykohet për mënyrën se si artikulon, sepse të gjithë e dimë që është rritur në Greqi. Ai gjykohet për rendimentin në fushë dhe për sjelljen brenda dhe jashtë saj. Ka disa të tjerë që thonë se nuk është fort i lumtur që përfundoi te Partizani, sepse priste një klub më të madh gjatë merkatos së verës. Vështirë të besohet, por nëse do të ishte e vërtetë, djaloshi duhet t’i vërë gishtin kokës.

Partizani nuk është një klub dosido dhe nëse e konsideron “ulje në karrierë” transferimin te “demat”, më mirë të mos firmoste fare. Partizani është një nga fanellat më të rënda të kampionatit shqiptar dhe duhet t’i bësh mirë llogaritë kur vishesh i kuq. Sa për sqarim, gazeta ka kërkuar disa herë ta intervistojë Kaçen, të marrë një mendim prej tij se si është pritur, çfarë objektivash ka, çfarë mendon ai për klubin dhe për situatën, por ka refuzuar sistematikisht. Jo vetëm gazetën, për hir të së vërtetës, por të gjitha mediat dhe rrjedhimisht opinionin publik.

Ndërkohë, klubi rri e bën sehir, sepse çuditërisht i duket normale që një nga lojtarët më të rëndësishëm të injorojë opinionin publik. Ndoshta kjo sjellje e klubit dhe e lojtarëve të rëndësishëm si Kaçe shpjegon edhe një nga arsyet se përse distanca me tifozët sa vjen e thellohet dhe ka gjithnjë e më pak të tillë në shkallët e stadiumit./Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: