Cristiano Ronaldo ndoshta është ndër lojtarët më të mirë në botë dhe fiton miliona, mirëpo jo gjithmonë gjërat kanë shkuar mirë për të. Superylli i Real Madridit ka qenë ‘diamanti’ i Akademisë së Sporting Lisbonës si i ri, por lojtarët e tjerë bënin shaka me të për theksin e Madeiras. Gjërat ishin përkeqësuar aq shumë, saqë një herë ai e kishte gjuajtur me karrige një mësues, i cili nuk i pengonte të tjerët që talleshin me të. Kështu ka treguar mesfushori i Sheffield Wednesday, Jose Semedo, i cili është rritur me 30-vjeçarin te klubi portugez.

“Ai ishte më i miri. E kontrollonte topin, i kalonte të gjithë, nuk pasonte, por shënonte. O Zot. Dhe pastaj kur fliste: Ishte nga Madiera dhe theksi atje është shumë ndryshe. Të gjithë qeshnin. Ai e kishte të vështirë me theksin e tij. Tingëllonte sikur të mos ishte portugalisht. Nuk e kuptonim. Njëherë ai e goditi me karrige një mësues, sepse njerëzit po qeshnin dhe ai nuk e ndalonte atë”, ka treguar Semedo për The Times.

Tashmë padyshim se të gjithë ata që e qeshnin ndjekin sukseset e njëpasnjëshme të Ronaldos. Aty bën pjesë edhe Semedo, i cili e ka ruajtur miqësinë me CR7, pasi ky i fundit i kishte ndihmuar për ta ruajtur karrierën kur Sportingu kishte dashur ta përjashtonte nga akademia.

Si 14-vjeçar, Ronaldo që ishte ‘djali i artë’ i klubit u kishte thënë drejtuesve të Sportingut se nëse do ta përjashtonin Semedon, edhe ai do të largohej. Dhe më pas e kishte lejuar shokun e tij që të qëndronte në dhomë me të.

“Ia kam borxh të gjitha atij. Vendi nga jam unë në Setubal, nuk është një vend i mirë për një të ri. Shumë nga miqtë e mi atje ishin të përfshirë në krime. Disa prej tyre tash janë të vdekur ose në burg. Po të kthehesha, ndoshta do të vidhja vetura me ta. Ai (Ronaldo) ma ndryshoi jetën. Familja ime, fëmijët e mi, karriera ime: të gjitha janë për shkak të tij”, ka rrëfyer Semedo.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: