Ndeshja e parë në “La Liga” nuk shkoi siç pritej për Atletico Madrid dhe kjo ishte një arsye që futbollistin më të mirë të tyrin, Antoine Griezman, t’a tradhtonin nervat.

Francezi në minutën e 66-të u rrëzua në zonën e Girona, por arbitri nuk akordoi penallti, për më shumë e ndëshkoi futbollistin me të verdhë. Ky episod solli irritimin e Griezman i cili i tradhtuar edhe nga nervat fyeu arbitrin duke i thënë se “je një copë m…”. Gjyqtari nuk e fali dhe brenda minutës nxori të dytin e verdhë për 25-vjeçarin që la ekipin me 10 lojtarë.

“Në minutën e 66, lojtari (7) Antuan Grizman u përjashtua nga loja për arsyen e mëposhtme: Ai m’u drejtua me fjalët “je një copë m…” pasi i kisha nxjerrë kartonin e verdhë”, shpjegonte në raportin e tij zyrtar gjyqtari spanjoll.

Sipas madrilenes “AS” në raste të tilla futbollistët rrezikojnë të dënohen me 2 ose 3 ndeshje pezullim, çfarë do të ishte një humbje e madhe për Atletico-n e cila këtë sezon ka pak lojtarë në dispozicion pasi merkato mbetet e bllokuar. Shto këtu edhe ndalesën 2-2 kundër Girona-s, pa frikë mund të thuhet se kjo është një nisje aspak pozitive për “madrilenët e vegjël”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb