NGA SILVI BARDHI*

“Edhe Saranda do të përfitojë nga programi, ku për dy vjet çdo kirurg shqiptar do të operojë me instrumente kirurgjikale të reja dhe 100 për qind të garantuara në sterilitetin e tyre”. Ky është premtimi që ka dhënë Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, në nëntor të vitit 2014, në lidhje me investimet në sistemin e shëndetësisë për vitin 2015.
Ka kaluar 1 vit e gjysëm nga ky premtim ndërsa situata ulërin nga gjendja skandaloze në spitalin e Sarandës, Delvinës, Korçës, Elbasanit, Lezhës, etj.

Higjiena në Spitalin e Sarandës është në nivelin tmerrues, tualetet nëse mund t’i cilësosh të tilla janë degraduar dhe lehtësisht mund të fitosh infeksione të rënda, dhomat e infermierëve nuk njohin standardin më minimal të mjekësisë, shtetërit e pacientëve, karriket e vizitorëve së paku do të duhej të mos shërbenin më, lagështia ka gllabëruar godinën duke i shtuar një tjetër kërcënim për jetën pacientëve.

Barnat mbahen në dollapë të kalbur, të mbyllur me dry hekuri dhe xhama aspak hermetikë.
Çarçafët në lavanteri, nëse ka një të tillë, thahen në varëse të ndryshkura.

Lavamanët në dhomat e degraduara plotë lagështi nuk kanë ujë të rrjedhshëm e në oraret e mungesës së tij shërbejnë ende mjetet alternative të kohës së komunizmit, kuti plastike aspak higjienike.
Ky është një nga dhjetra raste të vëzhguara nga afër ku dëshmohet çdo ditë me pamje dhe foto realiteti kundrejt mashtrimeve të ministrisë, se shëndetësia po rilind.

Nëse kjo është Rilindja që përmendet, atëherë do të thotë se ka dalë zbuluar një supermashtrim.
Kujtojmë premtimet e 2013-ës se shëndetësia do të ishte shembulli më i mirë i socialistëve, do të ishte mbi të gjitha FALAS, por përfundimet janë diametralisht të kundërta. Situata po degradon me denoncimin e vjedhjes së 338 milionë Eurove në tre koncesione Check-up-i, Strerilizimi dhe Hemodializa.

Në arkivat e lajmeve bie në sy edhe një citim i ministrit drejtuar nënave në pritje të lindjes.” E njoh, personalisht gjendjen e maternitetit në Sarandë dhe në Delvinë. Unë do t’i ftoja të gjithë pushuesit dhe nënat që janë brenda 6 javëve të fundit të para lindjes, të mos shkojnë me pushime në zona të largëta po t’i bëjnë pushimet më afër maternitetit”. Akujt nuk do t’i shkonte në mend kjo këshillë brilante e nëse do të dëgjohej deri në Korçë, do të përballej me një situatë mesjetare.
Nga vëzhgimi në terren, situata del të jetë dramatike.

Shtretërit janë në gjendje të mjerueshme, muret të nxira nga myku, kaldajat të nxjera nga funksioni, tualetet të pashfrytëzueshme, shtretërit e lehonës kanë përkrahë një tavolinë të tretur nga koha, e për ta kamufluar i është hedhur një plastikë e blerë në treg.

Në të gjitha këto kushte mjerane, mjekët, infermierët, sanitarët janë ata të cilët duhet t’u jemi falënderues. Çdo sakrificë e tyre, si një humanizëm në kushte heroike duhet nderuar.

Por Ministria e Shëndetësisë jep edhe një tjetër urdhër, më shkatërrues për shëndetësinë, individin dhe familjen, heqjen nga puna të infermierëve dhe sanitarëve të Elbasanit për arsye politike.
Dëshmia e këtij akti është dhënë nga vetë personeli i larguar.

Kjo praktikë u ndoq e vijon të ndiqet në çdo bashki, sepse militantët presin aty në radhë për punë edhe tek sistemi i shëndetësisë.
Nëna kryefamiljare, profesioniste me dhjetëra vite eksperiencë në këtë detyrë, i lë në mes të katër rrugëve. Vendimin e largimit nga puna ministria ia delegon drejtuesve të emëruar politikisht në spitale.
Rrënimi i sistemit duhet të gjejë urgjentisht një zgjidhje.
Demaskimi me fotot e bashkëngjitura, nxjerr në pah mashtrimet që i bëhen qytetarëve.
Ku shkojnë miliona euro të marra nga taksat e shqiptarëve të cilat nuk u kthehen kurrë në investim sa herë pushtetin e kanë socialistët?

Së fundi do të risillja në vëmendje edhe një shprehje të Ministrit: “Që nga dita e parë që kam nxjerrë fytyrën në publik, unë përgjigjem vetëm seriozisht”.
Përgjegjësia ndaj të vërtetës, do të dëshmojë seriozitetin karshi shqiptarëve dhe pacientëve të cilët sot dergjen kush e di se ku…

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: