Nga Anastas ANGJELI
Çdo takim i liderëve të 20 vendeve më të zhvilluara të botës (G-20) konsiderohet një nga ngjarjet që tërheq vëmendjen e të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Të konceptuara si forume shkëmbimi idesh dhe si platforma forcimi të bashkëpunimit ndërkombëtar, samitet e G20-ës konsiderohen si një mundësi e mirë për liderët e këtyre vendeve për të promovuar axhendat e tyre politike. Këtë vit samiti u zhvillua në Hamburg të Gjermanisë dhe përveç takimeve dhe deklaratave, u shoqërua edhe me protesta masive në rrugët e qytetit.

Momenti në të cilin samiti u zhvillua këtë vit dhe specifikat që paraqet sistemi ekonomik dhe politik ndërkombëtar në këtë periudhë i japin një vlerë të veçantë këtij takimi. Problematikat globale mbeten thuajse të pandryshuara nga viti i kaluar dhe ky fakt u përmend edhe gjatë takimeve dhe punimeve të samitit, por edhe në përmbajtjen e deklaratës përfundimtare.

Fryma që përshkon të gjithë deklaratën përfundimtare të samitit është nevoja për një bashkëpunim më të thellë, për angazhim të përbashkët dhe për një përhapje sa më të madhe të përfitimeve që vijnë si pasojë e globalizimit. Veprime të përbashkëta për një shpërndarje më të madhe të mundësive për përmirësim të kushteve të jetesës, që vijnë pikërisht si pasojë e globalizimit dhe zhvillimeve të teknologjisë. Globalizimi duhet të formësohet në mënyrë të tillë që t’u shërbejë sa më shumë qytetarëve. Problemet më të mëdha me të cilat shoqëritë përballen sot, si terrorizmi, varfëria, shëndetësia, papunësia mund dhe duhet të zgjidhen vetëm në mënyrë të përbashkët. Kjo vazhdon të jetë motoja e G20-ës: Mund të arrijmë më shumë së bashku se sa vetëm.

Pikërisht shpërndarja e përfitimeve që rrjedhin prej globalizimit, ndërtimi i një ekonomie elastike, përmirësimi i qëndrueshmërisë dhe marrja e përgjegjësive ishin pikat kryesore ku liderët e G20-ës u fokusuan gjatë punimeve të samitit dhe gjithashtu, edhe pikat kryesore që u paraqitën edhe në deklaratën përfundimtare.

Në mënyrë që përfitimet që vijnë si pasojë e globalizimit të jenë sa më të prekshme për sa më shumë qytetarë në deklaratën përfundimtare të samitit theksohet edhe një herë angazhimi i palëkundur i liderëve të G20-ës për bashkëpunim ekonomik dhe financiar ndërkombëtar si dhe për përdorimin e të gjitha mekanizmave politike monetare, fiskale dhe strukturore si në mënyrë individuale, ashtu edhe në nivel të përbashkët. Politikat monetare do të vazhdojnë të mbështesin aktivitetin ekonomik dhe ato fiskale do të jenë të orientuara drejt rritjes ekonomike. Për sa i përket tregtisë të lirë dhe investimeve, ato do të vazhdojnë të konsiderohen si motorët e rritjes ekonomike, inovacionit dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Për këtë arsye vendet e G20-ës do të vazhdojnë të ndjekin politikën e tregjeve të hapura dhe do të vazhdojnë të kundërshtojnë çdo politikë proteksioniste. Gjithashtu, do të vazhdohet të kundërshtohet çdo praktikë e subvencioneve qeveritare ose e mbështetjeve të tjera qeveritare, që konsiderohen si destabilizuese për ekuilibrin e tregut.

Një vëmendje e veçantë në deklaratë u kushtohet edhe zhvillimeve të teknologjisë si dhe mundësive që këto zhvillime japin për rritjen ekonomike. Më shumë ngushtim të hendekut të varfërisë, përmirësim të mëtejshëm të barazisë gjinore, arritje më të larta të inovacionit dhe teknologjisë. Kështu, ekonomia dixhitale konsiderohet si një prej komponentëve kryesorë për arritjen e inovacionit në shkallë globale, gjë që do të ndikojë pozitivisht në uljen e pabarazisë dhe në rritjen e punësimit. Do të vazhdohet të përmirësohen kushtet për zhvillimin e ekonomisë dixhitale duke siguruar konkurrencë, por edhe bashkëpunim efektiv ndërmjet të gjithë aktorëve. Do të inkurajohet përmirësimi i standardeve ndërkombëtare për produktet dhe shërbimet dixhitale. Angazhimi i vendeve të G20-ës konsiston në arritjen e lidhjes së plotë dixhitale për qytetarët e tyre deri në vitin 2025 si dhe në promovimin e teknologjisë së informacionit në të gjitha nivelet e arsimit. Kjo gjë do të ketë efekte pozitive si në punësim, pra në hapjen e vendeve të reja të punës, por edhe në modernizimin dhe në rritjen e efiçencës së administratës publike.

Çështja e ndërtimit të një sistemi financiar global elastik, ajo e arkitekturës financiare ndërkombëtare dhe nevoja për institucione globale financiare dhe ekonomike që të forcojnë rritjen ekonomike të qëndrueshme zunë një vend të veçantë në diskutimet, por edhe në deklaratën përfundimtare. U theksua përsëri angazhimi për të kontribuar në drejtim të krijimit të një sistemi ndërkombëtar tatimor modern dhe globalisht të drejtë.

Sigurisht që përveç çështjeve ekonomike dhe financiare, deklarata përfundimtare e samitit iu referua edhe problematikave të tjera me impakt global. Kështu, çështja e ndryshimeve klimatike u shndërrua në një pikë kritike, duke marrë parasysh edhe qëndrimin e SHBA-ve në lidhje me të. Sidoqoftë, në deklaratën përfundimtare u theksua angazhimi i liderëve për të vazhduar uljen e emetimit të gazit, duke rritur inovacionin në lidhje me energjitë e pastra. Gjithashtu, u nënvizuan çështje të tjera si nevoja e përmirësimit të mëtejshëm të kushteve të punës për gratë dhe ulja e hendekut gjinor në punësim, rritja e sigurisë ushqimore dhe e qëndrueshmërisë së përdorimit të rezervave ujore, nevoja për politika të përbashkëta për përballjen me problemet e emigracionit, rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar për luftën ndaj korrupsionit.

Deklarata përfundimtare e Samitit, ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, është një dokument ku në mënyrë të përmbledhur përfshihen shqetësimet dhe propozimet e liderëve në lidhje me çështjet më të rëndësishme ekonomike dhe politike me karakter global. Sidoqoftë, fjala e fundit për shndërrimin e këtyre propozimeve në politika konkrete sigurisht që u takon shteteve respektive, organizatave ndërkombëtare me karakter global dhe rajonal dhe në analizë të fundit politikës tradicionale. Megjithatë, fryma ndërmjet liderëve globalë në këtë samit ishte pozitive. Dhe akoma më i rëndësishëm ishte fakti se u nënvizua në mënyrë thelbësore nevoja e bërjes sa më të prekshme e përfitimeve që qytetarët kanë nga një ekonomi e hapur dhe e qëndrueshme. Gjithashtu, megjithëse për çështje të ndryshme mendimet mund të variojnë, nevoja për adresimin e përbashkët ndaj problematikave si dhe për gjetjen e zgjidhjeve kolektive për problemet globale u theksua me forcë gjatë këtij samiti. Dhe ky është ndoshta përfundimi më i rëndësishëm që mund të nxjerrim nga punimet e këtij samiti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: