Gilman Lika e cilëson zhgënjyes kampi onatin e Vllaznisë, edhe pse mendon se me fitimin e mundshëm të Kupës në finalen e së martës ndaj Laçit, çdo gjë do të shlyhej.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ishkapiteni i kuqebluve e konsideron Mirel Josën si trajnerin më të mirë në Shqipëri. Lika ka dyshime për mënyrën si kanë kaluar disa ekipe në javët e fundit, duke i bërë dëm pikërisht Vllaznisë.

Gilman, kampionati u mbyll dhe Vllaznia është e pesta në renditje…

Kam pritur shumë më tepër se kaq nga Vllaznia. Ishin të gjitha mundësitë që skuadra të ishte shumë më lart në renditje.

Çfarë mendoni që ndikoi më tepër që ekipi të dilte nga objektivi?

Nëse flasim për ndeshjet e fundit të kampionatit, personalisht kam pasur shumë dyshime.

Në ç’kuptim?

Mënyra se si kanë luajtur disa ekipe! Pa dyshim që këtu është dëmtuar shumë Vllaznia. Edhe gjykimet kanë ndikuar jo pak, por duhet pranuar se ekipi ynë i zemrës ka bërë shumë gabime të pafalshme gjatë rrugës. Sot nuk do të ishim duke diskutuar për aleancat apo arbitrat kundër Vllaznisë nëse skuadra do të ishte më e kujdesshme në disa ndeshje.

Të martën në Tiranë luhet finalja e Kupës ndaj Laçit. Si i shikoni shanset që ky trofe të jetë sërish i Vllaznisë?

Është finale dhe vështirë që të caktosh një favorit. Kjo është një ndeshje që Vllaznisë i duhet se s’bën për të shpëtuar sezonin, ndërsa Laçi është pak më i qetë, sepse e ka siguruar pjesëmarrjen në Europë.

Çfarë duhet të bëjë skuadra që të shpëtojë sezonin?

Kam parë përmirësim në këto dy ndeshjet e fundit, por gjithsesi lojtarët duhet të fokusohen që të japin më të mirën nga vetja në shërbim të ekipit. Nëse e bëjnë këtë gjë, pa dyshim që do ta fitojnë kupën, pasi i kanë të gjitha cilësitë.

Sa do të ndikojë Josa në këtë përballje ndaj Laçit, ekipit që ka drejtuar deri një muaj më parë…?

Josa është ndër trajnerët më të mirë në Shqipëri dhe ai e di se çfarë i duhet ekipit në këto momente. Besoj se ka për të dhënë gjithçka, në mënyrë që të ndikojë në arritjen e suksesit.

Kukësi pret fitoren e Laçit, në mënyrë që të përfitojë si vend i katërt dhe të futet në Europë. Çfarë impakti mendoni se ka ky aspekt?

Unë nuk besoj se do të ketë mundësi të ndikojë njeri në këtë ndeshje. Është finale, kështu që lojtarëve u them të japin maksimumin dhe të fitojnë kupën, sepse s’ka çfarë u bën asnjeri.

Nëse Vllaznia nuk arrin që të fitojë kupën, mund të quhet një sezon i dështuar?

Pa diskutim që do të ishte sezon i dështuar po nuk fituan kupën. Unë jam optimist dhe kam shumë besim se do ta fitojnë./Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb