Ai kishte një listë të gjatë me krime por kur në vitin 2009 kosovari ishte kapur me pesë kilogramë heroinë, Zyra Kantonale për Migrim dhe Integrim e Aargaut kishte nisur procedurën që ta dëbonte në Kosovë. Mirëpo duke qenë se i dënuari kishte bërë ankesë deri në Gjykatën Federale, procedura për dëbim ishte ndërprerë dy herë, shkruan “Aargauer Zeitung”.

Ndonëse edhe Gjykata Federale në vitin 2011 e kishte shpallur fajtor, Zyra për Migracion pastaj nuk e kishte rinisur procedurën e pezulluar. Se si ka ndodhur kjo, mbetet e paqartë, transmeton albinfo.ch shkrimin e gazetës. Ka mundësi që ose vendimi i Gjykatës Federale të mos u jetë dorëzuar autoriteteve të Aargaut ose është zhdukur.

Kjo ka rezultuar me atë që kosovari të kishte të drejtë për të qëndruar edhe më tej në Zvicër. Ndërsa kur kosovari 28-vjeçar në viti 2015 kishte pyetur në Zyrën për Migrim, rasti ishte rinisur. Kosovari pastaj ishte ankuar dhe të enjten që shkoi, Gjykata Administrative e Kantonit Aargau ia ka miratuar ankesën. Kështu, ai nuk dëbohet në Kosovë, përkundër listës së gjatë të krimeve të kryera si: vjedhje banditeske, shkelje të rendit shtëpiak, krime të ndryshme në trafik.

Gjykatësi i lëndës e ka shpjeguar këtë në këtë mënyrë: “sikur rasti të ishte gjykuar menjëherë pas vendimit të Gjykatës Federale të vitit 2011, atëherë Gjykata Administrative e Kantonit Aargau do të vendoste ndryshe. Atëbotë interesi publik për dëbimin e të dënuarit kishte qenë shumë i lartë.

Por pasi që këtu ka ndodhur një gabim i zyrtarëve, rasti ka mbetur pezull për katër vite me radhë. Dhe gjatë kësaj kohe të ndërmjetme, personi i gjykuar ka treguar sjellje të mirë. Veç kësaj ai nuk e zotëron gjuhën shqipe pasi në Zvicër ka ardhur si fëmijë 3-vjeçar. Pastaj fëmija që ka me të shoqen e rrit peshën e interesit të tij privat për të mbetur në Zvicër.

“Pasi që në momentin e nisjes së fëmijës, vendimi i Gjykatës Federale kishte tashmë një vit që ishte marrë, nuk mund të llogaritej më me dëbim”, ka thënë gjykatësi.

Mirëpo, ka shtuar gjykatësi, ky është vërtet shansi i fundit për kosovarin: edhe krimi më i vogël në të ardhmen mund t’i kushtojë me dëbim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: