Lideri i Forza Italia, ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi ka lëshuar një tjetër deklaratë të fortë ditën e sotme. Në një konferencë për mediat të mbajtur mëngjesin e sotëm në selinë e PPE në Bruksel, Berlusconi tha se ka arritur në vitin 2002 të fuste Rusinë në NATO.

Berlusconi i referohej samitit të mbajtur në Itali, pranë Romës në vitin 2002 që u drejtua nga ai vetë, falë të cilit u krijua Këshilli NATO-Rusi, që ndërtoi një kanal dialogu mes Aleancës së Atlantikut dhe Moskës. Më vonë dialogu u pezullua për shkak të veprimeve ruse në Ukrainë.

Berlusconi deklaroi sot se, nën drejtimin e tij, Rusia iu bashkua NATO-s më shumë se 15 vjet më parë.
Tashmë 81-vjeçar, ish-kryeministri italian e përshkroi veten si një “fëmijë që ka jetuar për 50 vjet nën presionin e Luftës së Ftohtë”.

“Ky fëmijë arriti ta bëjë Rusinë pjesë të NATO-s në vitin 2002 dhe i beson Evropës, si një e vërtetë absolutisht themelore”, deklaroi ai.

Rusia nuk është anëtarësuar asnjëherë në NATO, një aleancë ushtarake e themeluar fillimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj perëndimorë për t’u mbrojtur nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Berlusconi ishte në një vizitë zyrtare në Bruksel për të zhvilluar një takim me politikanët e Bashkimit Evropian, duke përfshirë aleatin e tij Antonio Tajani, kreun e Parlamentit Evropian dhe presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb