Nënkryetari i Komisionit të Jashtëm, Aldo Bumçi, ka zbuluar dje një gafë të rëndë të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, pas votimit që Shqipëria bëri pro Palestinës në OKB. E perditshmja ‘Panorama’ shkruan se gjatë mbledhjes së Komisionit të Jashtëm, Bumçi tha se Ministria e Jashtme kishte ftuar në një takim të përbashkët ambasadorët e Palestinës dhe Izraelit në Tiranë për t’i sqaruar rreth votës së qëndrimit të Shqipërisë në OKB.

Sipas ish-ministrit Bumçi, kjo është një gafë e rëndë, çka ka acaruar dy diplomatët, të cilët kanë kërkuar që të kërkohet ndjesë nga qeveria shqiptare në nivelet më të larta. Bumçi tha se as liderët amerikanë dhe ata të Bashkimit Europian nuk ftojnë në një takim të përbashkët diplomatët e Palestinës dhe Izraelit, çka e quajti këtë si një skandal diplomatik.

“Duhet të ndalemi dhe në një skandal që ka ndodhur në Ministrinë e Jashtme. Për t’i komunikuar qëndrimin tonë, janë thirrur në takim, në të njëjtën kohë dhe bashkërisht ambasadorët e vendeve arabe dhe ambasadori i Izraelit. Kjo është të mos njohësh ABC­në e diplomacisë që të thirren në një takim të përbashkët Izraeli dhe Palestina. Edhe Amerika dhe BE­ja nuk e kanë bërë këtë. Dhe ka pas protestë dhe
kërkesë për ndjesë deri në nivelin më të lartë për këtë akt”, tha Bumçi.

Por ajo që bëri përshtypje gjatë mbledhjes së djeshme ishte fakti se ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, e anashkaloi përgjigjen ndaj këtyre akuzave. Bushati foli për votën në OKB dhe për çdo çështje tjetër, por e ka anashkaluar këtë akuzë për incidentin diplomatik me ambasadorët e Palestinës dhe Izraelit.

PRAPASKENAT
“Panorama” u interesua për çështjen në fjalë dhe burime të besueshme nga Ministria e Jashtme konfirmuan se acarimi i toneve ka ndodhur për shkak të ftesës së bërë nga Ministria e Jashtme ndaj dy selive diplomatike për të qenë bashkë në një takim në ministri për të shpjeguar votën.

Mësohet se Sokol Gjoka, Drejtor i Përgjithshëm i Marrëdhënieve Dypalëshe, me urdhër të ministrit iu ka dërguar një ftesë zyrtare për të qenë të pranishëm në të njëjtën orë në një takim në Ministrinë e
Jashtme ambasadorëve të disa vendeve arabe, duke përfshirë edhe Izraelin, edhe Palestinën.

Por mësohet se kjo ftesë është konsideruar si një provokim i rëndë prej ambasadorëve në fjalë, ndaj kanë shprehur revoltën dhe protestën e tyre. Mësohet se pas kësaj gafe, zyrtarët e lartë të
Ministrisë së Jashtme kanë kërkuar ndjesë për ngjarjen, duke sqaruar qëllimet e mira të takimit. Mësohet se takimi nuk u zhvillua për shkak se ambasadorët refuzuan të marrin pjesë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: