Gabimi i David De Geas në sfidën kundër Portugalisë ka shkaktuar shumë pakënaqësi mes tifozëve të kombëtares spanjolle të futbollit. Një sondazh të së përditshmes “AS”, ku morën pjesë diçka më shumë se 160 mijë votues, ka bërë të qartë vullnetin e një pjese të mirë të tifozëve iberikë. Ata kërkojnë “kokën” e De Geas dhe në ndeshjen ndaj Iranit shpresojnë që trajneri Fernando Hierro të marrë një vendim në lidhje më katërkëndëshin.

Ata kërkojnë që tekniku i emëruar në detyrë përpara pesë ditësh të nxjerrë De Gean nga formacioni titullar për t’i besuar portën të riut Kepa.

SONDAZHI
Thuajse 50 për qind e votuesve shpresojnë në aktivizimin e portierit të Atletikos së Bilbaos. Mosbesimi ndaj numri 1 të Mançester Junajtid është i tillë sa që ka edhe mbështetës (11.82 përqind), të cilët presin që roli delikat t’i besohet Pepe Reinës. Të shumtë janë ata që përgjigjet e tyre i kanë argumentuar me faktin se De Gea mund ta vuajë psikologjikisht gabimin në ndeshjen me Portugalinë.

Nëse ky argument vlen, atëherë mund të vlejë edhe ai i mbështetësve të De Geas, të cilët jo vetëm që i japin besim për ndeshjet e radhës, por shohin Iranin një sfidë që portieri mund ta “përdorë” për të rifituar sigurinë pas asaj që u pa mbrëmjen e së premtes në një goditje që, për hir të së vërtetës, nuk ishte jashtë mundësive për një gardian të nivelit të tij.”

AVOKATË
Tibo Kurtua nga grumbullimi i Belgjikës ka mbrojtur kolegun e tij në kampionatin anglez duke thënë: “Portierët janë njerëz dhe si të tillë nuk janë të pagabueshëm, ndaj nuk ka përse të kryqëzohet një portier cilësor si ai i Spanjës”. Në të njëjtën gjatësi vale edhe Serxho Ramos. Kapiteni i kombëtares spanjolle ka mbrojtur gjithashtu shokun e skuadrës, teksa një ditë pas barazimit ndaj Kristiano Ronaldos me shokë deklaronte:

“Nuk bëhet fjalë për të mos bërë gabime dhe as për t’u dorëzuar. De Gea do të luante gjithmonë në ekipin tim”. Deklaratë e mbrojtësit, më shumë se një tezë mbrojtëse, duket si vendim, ndaj përpos sondazhit, vështirë se De Gea do të dorëzojë portën e kombëtares së vendit të tij.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/gafa-ndaj-portugalise-spanjollet-kerkojne-koken-e-de-geas/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb